Droga, DASH: Shqipëria vend tranzit

09/03/2012 00:02

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve nuk ndryshon shumë nga ata të mëparshmit kur vjen fjala tek përcaktimi që i bën në vija të përgjithshme pozicionit të vendit tonë: Shqipëria sipas dokumentit, vazhdon të mbetet vend tranzit i drogës për Europën Perëndimore.

Përpjekjet për të luftuar trafikun e narkotikëve kanë qenë mikse edhe përgjatë 2011-ës. Kapja e drogës dhe ndjekjet penale mbeten pothuajse në të njëjtat nivele, por tentativat janë penguar në mënyrë të vazhdueshme nga mungesa e burimeve, korrupsioni dhe vullneti politik.

Shqipëria përshkruhet në raport kryesisht si vend tranzit i drogës që shkon drejt perëndimit. Grupet e krimit të organizuar, thuhet aty, përfitojnë nga pozicioni i saj strategjik, kufijtë jo të rreptë dhe pabarazia në zbatimin e ligjit.

Me përjashtim të kanabisit, vetë si shtet nuk konsiderohet prodhues i drogave të jashtëligjshme. Në fakt, raporti nuk sheh një tablo të qartë të shtrirjes së abuzimit më drogën, megjithëse thuhet se ka një përdorim të madh të hashashit, kryesisht në radhët e të rinjve shqiptare.

Progresi në luftën kundër narkotikëve konsiderohet modest. Fusha kryesore ku është vënë re përmirësim është ajo e operacioneve anti-trafik, për shkak se forcimi i zbatimit të ligjit dhe i kontrollove kufitare ka cuar në shtimin e numrit të arrestimeve dhe sekuestrimeve në pikat hyrëse të vendit përgjatë 9 muajve të parë të 2011-ës.

Por raporti evidenton korrupsion si një problem përherë të pranishëm, me rrënjë të thella në Shqipëri. Pagat e ulëta, pranimi i ryshfetit dhe rrjetet sociale të ndërthurura të ngushtë e vështirësojnë luftën kundër këtij fenomeni në radhët e policisë, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave.

Përfundimi në të cilin del DASH është se ka progres në luftën kundër narkotikëve, por ai frenohet nga institucionet e dobëta politike, gjyqësore e të zbatimit të ligjit. Harmonizimi dhe përmirësimi i institucioneve të sistemit të drejtësisë penale ka patur efekt, por përparimi është ende i ngadaltë, pasojë kjo e vështirësive politike e burokratike.

 

Top Channel