Sarkozy kërcënon Europën: Dalim nga Schengen

12/03/2012 15:40

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, kërcënoi me tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja Schengen për heqjen e kufijve midis vendeve të BE-së, nëse nuk do të bëhet më shumë në nivel europian për të luftuar emigracionin e paligjshëm.

Duke folur nga një takim elektoral në Paris, presidenti deklaroi se një reformë e thellë në këtë drejtim është mënyra e vetme “për të penguar shpërthimin” e Europës.

Sarkozy theksoi se nëse nuk do të ketë progress brenda 12 muajve të ardhshëm, Franca do të pezullojë pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen Schengen, e cila lejon lëvizjen e lirë të personave, krahut të punës dhe mallrave brenda 25 shteteve të Bashkimit Europian (Rumania dhe Bullgaria janë të vetmet vendet ende jo pjsemarrëse midis shteteve antare).

Sipas analistëve, fushata anti-emigracion e Sarkozy është një armë e fortë elektorale, pasi synon të rrëmbejë zgjedhës nga partia e ekstremit të djathtë e kryesuar nga Marine le Pen.

Një javë më parë, Sarkozy deklaroi se në Francë ka emigrantë me tepricë, në të njëjtën kohë që premtoi reduktimin e numrit të tyre, nëse do të fitojë një mandat të dytë.

Zgjedhjet presidenciale në Francë, të cilat zhvillohen me dy raunde, do të mbahen në datat 22 prill dhe 6 maj. Sondazhet paraprake tregojnë se kandidati socialiste, Francois Hollande, është i favorizuar për të fituar përballë presidentit në fuqi.

Top Channel