Projektligji për të cilin mazhoranca dhe opozita dhanë konsensusin është një nga draftet që kërkon 3/5 e votave dhe që ka qendruar më gjatë në sirtaret e Parlamentit.

Bëhet fjalë për ligjin e Gjykatës Administrative, shqyrtimi i të cilit daton që nga legjislatura e kaluar, në vitin 2008, por që nuk u miratua në Kuvend pas bojkotit dyvjeçar të Kuvendit nga Partia Socialiste.

Tani, pas marrëveshjes së nëntorit projektligjit i ka ardhur radha për rishqyrtim dhe duke shprehur vullnetin politik për miratim, socialistët kanë përgatitur disa amendamente.

“Në vlerësimin tim, projekti është një bazë e mundshme që sjell miratimin në parim të këtij ligji”, deklaroi relatori socialist Armando Subashi.

Ky zhvillim pozitiv në komisionin e ligjeve ka marrë përgëzimin e kryeministrit Sali Berisha, i cili nga mbledhja e grupit parlamentar të PD u kërkoi socialistëve t’i qendrojnë deri në fund këtij vullneti politik, që është i domosdoshëm për të përmbushur një nga 12 rekomandimet e Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Uroj që të mos ndryshojnë në momentin e fundit, kur në Bruksel të diskutohet sërish për ecurinë e reformave të Shqipërisë”, deklaroi Berisha.

Kryeministri kërkoi gjithashtu që ky vullnet të shprehet nga socialistët edhe për kufizimin e imuniteteve, duke ripërsëritur qëndrimin e tij se ishte i gatshëm edhe për ndryshimin e Kushtetutës.

PS, seancë për Gjykatën Administrative

Partia Socialiste ka mbajtur pasditen e së hënës një dëgjesë publike, kushtuar ligjit për Gjykatën Administrative. Në fjalën e tij, sekretari për çështjet ligjore Fatmir Xhafaj prezantoi objektivat e PS-së, të cilat sipas tij kanë të bëjnë me cilësinë dhe efikasitetin e ligjit.

“Qëllimi ynë është një ligj sa më cilësor. Do organizojmë një sërë konsultash me avokatët e Tiranës. Duam të bëjmë përmirësime në këtë fushë, ta përmirësojmë ligjin sipas standarteve ndërkombëtare, pasi kështu siç është sistemi ka një sërë problemesh”, ka deklaruar Xhafaj.

Deputeti socialist ka nënvizuar se PS synon që ta kthejë këtë ligj në një instrument në favor të qytetarëve, bizneseve dhe vetë shtetit.

“Në këtë kontekst synimi ynë është që ky ligj të përmirësohet më tej, edhe në konsultim me ekspertë ndërkombëtarë”, ka nënvizuar Xhafaj, duke shtuar se PS ka amendimet e saj konkrete.

“Ne kemi angazhuar një grup ekspertësh, me qëllimin e mirë se si mund ta favorizojmë më mirë këtë projekt, në mënyrë që ligji të jetë i qëndrueshëm në kohë”, ka shtuar ai.

Berisha: Rama, “arkitekt” i së djathtës

Nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, kryeministri nuk la pa iu përgjigjur kreut të opozitës, Edi Rama për editorialin e tij të së shtunës, ku ai vinte në dukje ndarjen në tresh të së djathtës mes partisë së zotit Berisha, asaj të presidentit Topi dhe lëvizjes së Kreshnik Spahiut.

“Siç keni konstatuar në ciu ciu-t e javëve të fundit dhe editorialet, është përpjekja e zotit Rama për t’u bërë arkitekt i së djathtës. Pasi ndriçoi të majten dhe e çoi nga disfata në disfatë, tani mendon si ta bëjmë me të djathtën. Unë i them zotit Rama se, nga themelimi i PD e deri më sot ka një hsitori. Kanë dështuar të gjithë ata të cilët janë përpjekur t’u servirin sapunin për djathë”, deklaroi Berisha.

Shumë më ironik kryeministri Berisha u tregua me batutat e tij rreth qëndrimit të zotit Rama, se mes tij dhe presidentit Topi nuk kishte patur kurrë jo vetëm bashkëpunim, por se presidenti Topi kishte dalë disa herë kundër Partisë Socialiste.

“Kujt do t’ia hedhë Bamirin në prehër. Pasi e detyroi të votonte, tani e ka kapur halli se në ç’ferrë do ta hedhë. Dhe mos e kërkoni në ferrat e Parlamentit”, u shpreh Berisha. 

Top Channel