Korea Veriut, satelit në hapësirë në prill

16/03/2012 09:40

Korea e Veriut do të lëshojë një satelit të instaluar mbi një raketë, për të festuar 100-vjetorin e lindjes së ish-presidentit Kim Il-sung, lajmëroi të premten media lokale.

Data e lëshimit do të përcaktohet midis 12-16 prillit, informoi një zëdhënës i Komitetit Korean të Teknologjisë Hapësinore. Lajmërimi është pritur me shqetësim nga vendet perëndimore, që konstatojnë një zhvillim të ri të potencialeve raketore të vendit komunist.

Nëse do të realizohet, lëshimi në hapësirë i satelitit do të dhunojë një rezolutë të OKB-së të vitit 2009, të miratuar pas një testimi të mëparshëm të Penianit zyrtar me një lloj të fuqishëm raketash, në gjendje që të mbërrijnë deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një reagim zyrtar, Korea e Jugut shprehu shqetësimin se “ky provokim i rëndë do të kërcënojë paqen dhe sigurinë në rajon”. Japonia gjithashtu shfaqi “shqetësimin e saj serioz”.

Një muaj më parë, Peniani ra dakord të pezullojë testimet me raketa të rrezes së gjatë, në këmbin të një ndihme prej 240 mijë tonësh ushqime.

Korea e Veriut ka rreth 800 raketa balistike, disa dhjetëra prej të cilave janë në gjendje që të godasin deri në 6 mijë kilometra largësi. Vendi komunist ka edhe një sasi të paqartë mbushjesh bërthamore.

Top Channel