Francë, ushtarakët heqin uniformat

16/03/2012 16:15

Trupat franceze të vendosura në jug-perëndim të Francës kanë marrë urdhër të mos veshin uniformat ushtarake kur të jenë jashtë bazës.

Urdhëri ka ardhur pasi dy ushtarakë të regjimentit të parashutistëve u qëlluan për vdekje dhe një tjetër u plagos rëndë në një atentat, të kryer teksa po tërhiqnin para nga një bankomat.

Autoritetet franceze deklaruan se ka qenë një person i vetëm me një motoçikletë që ka qëlluar tre oficerët në qytetin jug-perëndimor të Montaubanit.

Ministri francez i Mbrojtjes, Gerard Longuet ka deklaruar se për momentin nuk është përjashtuar asnjë pistë kur është pyetur nëse bëhet fjalë për terrorizëm. “Asgjë nuk na lejon që të përjashtojmë njërën pistë apo tjetrën”, ka thënë ai.

Ndërkohë, mediat lokale raportojnë se e njëjta armë që vrau tre ushtarakët është përdorur për të vrarë një tjetër ushtar ditën e diel në Tuluz.

Ndërkohë, në qytetin e Montaubanit janë dërguar njësitë e anti-terrorizmit të policisë franceze. Njësitë ushtarake elitë të Francës e kanë bazën e tyre në jug-perëndim të vendit.

Regjimenti i parashutistëve të vrarë së fundmi ka shërbyer në Afganistan, ndërsa vite më parë edhe në Ballkan, gjatë kohës së luftrave në ish-federatën jugosllave.

Megjithatë, ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe ka deklaruar se për momentin nuk ka asnjë provë që të lidhë vdekjen e tyre me misionet në fjalë.

Top Channel