Diktatori i vërtetë nuk është Al Assad

20/03/2012 00:00

Ndërsa në Siri vazhdon represioni i regjimit, shtypi britanik hedh dritë
mbi të fshehtat e familjes së presidentit Bashar al Assad. Duket se
bashkëshortja e presidentit, Asma al Assad është diktatorja e vërtetë e
familjes.

“Jam unë diktatorja e vërtetë, ai nuk ka zgjedhje tjetër”, thuhet në një mesazh që Asma i ka dërguar një miku të saj më 14 dhjetor, duke bërë shaka për marrëdhënien e saj me bashkëshortin. Në një tjetër mesazh dërguar më 10 janar, po të njëjtit mik, zonja e parë e Sirisë shkruan se vlerësoi shumë një fjalim të mbajtur nga i shoqi, dhe faktin që ai përcolli shumë mirë vullnetin për të mbajtur pushtetin dhe rendin në vend.

Publikimi i këtyre mesazheve dërguar nëpërmjet postës elektronike zbardh realitetin e një familje në pushtet në një vend krejtësisht të izoluar. Duket se Asma është protagonistja e vërtetë e një serie mesazhesh.

Zonja e parë është një figurë që ka ngjallur diskutime, por e vërteta është se ajo ka qenë e dashur nga populli sirian dhe është mbështetur nga opinioni publik në tërësi. E lindur në Londër nga një baba sirian, pasi punoi për Deutsche Bank dhe për J. P. Morgan ajo u martua në vitin 2000 me presidentin Bashar, me të cilin ka tre fëmijë.

Për vite me radhë, bashkëshortja bukuroshe është vlerësuar me nota pozitive nga shtypi perëndimor sepse është moderne, bujare në çështjet humanitare  dhe në favor të të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Shpesh është krahasuar me Mbretëreshën Rania të Jordanisë. Eshtë konsideruar gjithnjë si një grua karizmatike dhe e fortë, një prej atyre figurave që mund të sjellë ndryshimin e historisë.

Por erdhi një moment që diçka u prish dhe disidentët nisën të minojnë stabilitetin e saj publik. Pikërisht pas këtyre zhvillimeve Asma nisi të dalë publikisht në krah të të shoqit në momentet më të ashpra të regjimit të Assad në Siri, duke mos mbështetur më të drejtat njerëzore, krah të cilave ishte vetëm disa vite më parë.

Figura e zonjës së parë siriane ka nisur të kontestohet ashpr vitin e shkuar, në fillim të “pranverës arabe”. Këtë gjë e di mirë “Vogue America”, revista që i kushtoi një speciale Asmës, e që për shkak të kritikave u detyrua të heqë materialin nga ëebsite i vet. E dinë mirë edhe shumë ekspertë dhe analistë të politikës sirianë, dhe shumë persona të tjerë që e kanë njohur së afërmi…

Top Channel