“S’kemi lek të hamë sot. Ç’të hamë? Erdha sot të marr pensionin, e kisha në datën 13, sot është 20. Ku të gjej unë të ha? Janë në terezi këta apo jo?!”

Mllef dhe irritim kanë shprehur pensionistët pas dy orëve në radhë për të marrë pensionet dhe që në fund sërish janë kthyer duarbosh në shtëpinë e tyre.

Në të gjitha pikat e postës ku shpërndahen pensionet prej ditësh ka kaos. Pensionistët qendrojnë në radhë të gjata për të marrë pensionin, dikush 10 mijë apo 15 mijë lekë, për të nisur më pas ritualin e pagimit të ilaçeve, dritave e ujit dhe çfarë mbetet përdoret për t’u ushqyer.

“Vimë më 12 thonë hajde në 19, vijmë në 19 thonë hajde më 20, vijmë më sot e më thotë hajde ditën e shtunë”, deklaron para mikrofonit një pensionist.

Sportelistët thonë se do të ketë një datë të caktuar, ndonëse shumë prej pensionistëve kanë respektuar në afat datën aq të pritur prej tyre.

Që prej dy javësh pensionistët sorollaten dhe ankohen tek njëri-tjetri, pasi askush nuk i jep përgjigje shqetësimit dhe problemeve të përditshme të tyre.

Thesari bllokon dietat e shërbimet e administratës

Që nga data 1 mars Thesari i Shtetit ka bllokuar të gjitha pagesat për shërbimet dhe dietat e administratës brenda apo jashtë vendit.

Ndonëse pa ndonjë urdhër zyrtar të shpallur, prej gati tre javësh qeveria nuk po i paguan detyrimet për këto zëra, çka sinjalizon se arka e shtetit mund të jetë në vështirësi.

Burime i thanë Top Channel se ndonëse i pranon faturat e shërbimeve, Thesari nuk i ekzekuton ato për t’i shlyer, pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar.

Kjo nuk është hera e parë kur qeveria bllokon pagesat për dietat dhe shërbimet e administratës. Vitin e kaluar këto pagesa dhe disa shpenzime të tjera u bllokuan me vendim të posaçëm për gjithë gjysmën e dytë të vitit. Por këtë herë duket se vështirësitë financiare të qeverisë kanë nisur më herët, që në muajt e parë të vitit.

Top Channel