Papa: Kisha, gjithmonë në anën e lirisë

23/03/2012 18:30

“Është e qartë që kisha mban gjithmonë anën e lirisë, lirisë së ndërgjegjes dhe lirisë së besimit”.

Me këto fjalë Papa Benedikti XVI i është përgjigjur gjatë fluturimit për në Amerikën Latine aktualitetit të fjalëve të thëna nga Papa Gjon Pali II në vitin 1998.

“Kuba t’i hapë dyert botës dhe bota t’i hapë dyert Kubës”, ka thënë ati i shenjtë, duke shtuar: “Kisha nuk është një pushtet politik, nuk është një parti, por një realitet moral, një pushtet moral”.

“Duhet të bëjmë të pamundurën kundër kësaj të keqeje shkatërruese për shoqërinë dhe rininë tonë”, ka thënë më tej Papa, duke iu referuar luftës kundër drogës në Meksikë.

Avioni me atin e shenjtë në bord u nis në orën 09:50 nga aeroporti “Fiumicino” në Romë drejt Meksikës. Mbërritja në aeroportin ndërkombëtar të Guanajuatos parashikohet në 16:30 me orën lokale, ose 23:30 me orën tonë.

Papa do të pritet nga presidenti Felipe Calderon, i cili një ditë më vona do ta ftojë atin e shenjtë në Shtëpinë e Conde Rul, në Guanajuato, që do të pasohet nga një përshëndetje që shenjtëria e tij do t’u bëjë fëmijëve në Plaza de la Paz.

Të dielën Papa do të jetë në Leon, ku do të celebrojë meshën në Parkun e Dyqintvjeçarit, shesh ky i inauguruar për 200-vjetorin e pavarësisë, ku pritet të mblidhen 350 mijë njerëz.

Pas një sërë aktivitetesh të tjera, Papa Benedikti do të udhëtojë të hënën drejt Kubës, ku do të takohet me presidentin e Këshillit të Shtetit dhe të Ministrave të këtij vendi, Raul Castro.

Top Channel