Turqi, nis procesi kundër ish-shefit të ushtrisë

26/03/2012 15:25

Ish-shefi i shtabit të Ushtrisë Turke u paraqit të hënën në gjyq, për t’u përballur me akuzat e terrorizmit dhe komplotit për të rrëzuar qeverinë e ligjshme nëpërmjet një grushti ushtarak.

Gjenerali Ilker Basbug, i cili doli në pensionin në vitin 2010, është ushtaraku më i lartë që përballet me akuzat në çështjen e quajtur “rrjeti i Ergenekon”, një grupim ekstremist nacionalist.

Në total, mbi 400 ushtarakë të niveleve të ndryshme janë të përfshirë në këtë çështje gjyqësore. Prokurorët e akuzojnë gjeneralin se u përpoq të rrëzonte qeverinë e zgjedhur të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan në vitin 2003, por Basbug i ka mohuar të gjitha akuzat.

Megjithatë, 68-vjeçari është akuzuar direkt nga disa prej vartësve të tij, që justifikojnë një sërë veprimesh komplotuese, duke iu referuar urdhërave të qartë të ardhur nga lart.

Çështja gjyqësore ndiqet me një interes të veçantë në Turqi, ndërsa për procesin Basbug është ndërtuar një dhomë e posaçme gjyqësore brenda burgut të Silivrisë, ku mbahet ushtaraku i lartë.

Basbug akuzohet gjithashtu për ngritjen e faqeve të internetit për përhapjen e “propagandës” kundër autoriteteve deri në vitin 2008 dhe “ngritjen dhe administrimin e organizatave terroriste”.

Avokatët mbrojtës të gjeneralit kanë deklaruar publikisht se çështja është e mbushur me dokumenta të sajuar, të cilëve u mungon besueshmëria.

Top Channel