Grabitje në bankë, vritet arkëtarja, plagoset roja

27/03/2012 00:00

Një arkëtare mbeti e vrarë dhe roja u plagos rëndë gjatë një tentative për grabitjen e një filiali banke në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14 e 50 minuta. Dy persona të armatosur dhe maska hynë fillimisht në bankë pasi ndeshën edhe rezistencën e rojës së sigurisë të cilin e neutralizuan duke e qëlluar pa paralajmërim.

Grabitësit, pasi kanë parë rojen e gjakosur kanë humbur gjakftohtësinë, kanë kërcënuar arkëtaren Eleonora Kaloçi që t’u jepte paratë.

Lëvizjet e arkëtares u janë dukur si një sinjal që e lidh bankën me shërbimin policor dhe duke qenë se janë trembur e kane qëlluar dy herë në trup, pa bërë asnjë tentativë për të grabitur të hollat.

Në këto kushte të dy janë larguar nga banka me vrap. Duke qenë se zona është e mbipopulluar dhe është shokuar e gjitha nga krismat ata kanë patur mundësinë të largohen nga prapa bankës dhe për t’i shpëtuar mbulimit të policisë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes pak pasi kishte ndodhur tentativa e grabitjes.

Të dy të plagosurit janë transportuar menjëherë në spitalin Nënë Tereza që ndodhet në afërsi të filialit të bankes, por 42 vjeçarja, nënë e dy fëmijëve nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagevë të renda të marra në trup.

Ndërkohë që në gjendje të rëndë për jeten ndodhet edhe roja e sigurise Skënder Elmazi. Policia ka shoqëruar të gjithë stafin e bankës për ta marrë në pyetje, por asnjë prej tyre nuk ka mundur dot ta shquajë fytyrën e vrasësit.

Të dhënat për gjatësinë dhe trupin e dy grabitësve i ka dhënë mundësine policisë të ndërtojë një identikit të paplotë të dy grabitësve.

Edhe kamerat e bankës i kanë xhiruar lëvizjet e tyre, por asnjë rezultat për ndonjë identifikim të plote. Ndërkohë që nga vendi i ngjarjes janë shoqëruar edhe të gjithë dëshmitarët, të cilët konsiderohen edhe ata dëshmitarë pamorë për shkak se kanë pikasur të dy grabitesit kur janë larguar nga banka me vrap.
 
Ngjarja e rëndë në një zonë të mbipopulluar si ajo e Xhamllikut dhe në mes të dites, ndodhi vetëm pak orë pasi Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i thirrur për gjendjen e rëndë kriminale në vend në Komisionin Parlamentar të sigurisë dha deklarata të një kontrolli total të policisë ndaj krimit në vend.

Nishani referoi për rritje të efiçencës së zbulueshmërisë dhe të goditjes më së shumti gjatë vitit 2012 mbi krimin e vjedhjeve dhe grabitjeve me dhunë.

Edhe pse statistika tregon se çdo 10 ditësh i këtij viti është shoqëruar me grabitjen e një subjekti bankar, ku për fat të keq u regjistrua edhe një viktimë.

Top Channel