“Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre, nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Sepse BE-ja nuk është e interesuar të pranojë në gjirin e saj shtete me çështje të pazgjidhura”.

Kështu deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel në një debat me studentë në të cilin prezent ishin edhe përfaqësuesi i shtetit të Kosovës edhe ai i Serbisë. Pikërisht për këtë çështje, sic tha ambasadori, BE-ja po ndihmon dialogun mes dy vendeve.

“Por proçesi i normalizimit të marrëdhënieve, besoj që të gjithë këtu pajtohen, kërkon më shumë punë nga Serbia se sa nga Kosova. Situata në të cilën njëra palë cënon funksionimin e një shteti tjeter është e papranueshme. Po kështu, edhe kur një shtet organizon zgjedhje në një shtet tjetër nuk është aspak normale. Institucionet parlele të cilat Serbia i mban në Kosovë e pengojnë Serbinë që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”, deklaroi Reichel.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se është Serbia ajo e cila duhet të shkëputet nga politika sunduese mbi një shtet tjetër në mënyrë që dy shtetet të bisedojnë për cështjet praktike.

Nga ana tjetër, zyrtari serb Oliver Ivanoviç duket se nuk mërzitet fort për qëndrimet e ambasadorit gjerman dhe atij francez, e aq më pak të palës kosovare. Ai tha se shqiptarët dhe serbët nuk janë as gjermanë e as francezë, pavarësisht se mësime nga këto dy vende mund të merren.

Ivanoviç përsëriti se Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën se një qeveri e re si në Kosovë ashtu edhe në Serbi do t’i qasen seriozisht problemeve.

“Serbia nuk do ta njohë Kosovën, këtë nuk do ta bëjë jo vetëm kjo gjeneratë, por edhe shumë breza të tjerë nuk do ta njohin shtetin e Kosovës. Shpresoj që zgjedhjet në Serbi dhe në Kosovë të nxjerrin udhëheqje të reja e të fuqishme, të cilat do t’i qasen seriozisht zgjidhjes së problemeve të ndryshme”, tha Ivanoviç.

Më tej panelistët morën disa pyetje nga studentet, por sërish përgjigjet e tyre vunë në dukje qëndrimet e kundërta të palëve kur është fjala për shtetin e Kosovës.

Top Channel