Kosova në prag zgjedhjesh, Serbia hap 300 vende të reja pune në shërbimin shëndetësor të vendit Parlamenti Europian votoi në seancë plenare në Bruksel, përveç Kosovës, edhe rezolutat për Serbinë, Malin e Zi dhe Turqinë.
Liria e medias ishte në zemër të rezolutës për Turqinë. Në seancë plenare në Parlamentin Europian debatet nisën me përshëndetjen ndaj gazetarit turk Ahmet Sik.
“Është një nder i madh për ne të mirëpresim në podiumin e kësaj shtëpie zotin Ahmet Sik, gazetar turk i cili është mbajtur në burg për mëse një vit. Mirëpresim faktin që është liruar pasi jemi angazhuar shumë për një gjë të tillë”, deklaroi Martin Schulz, President i Parlamentit Europian.
Për Serbinë, ndër të tjera rezoluta e Parlamentit Europian kërkon që vendi të mos i zhvillojë zgjedhjet lokale në Veriun e Kosovës. PE shpreh shqetësim për diskriminimin e minoriteteve dhe kërkon mbrojtjen e të gjitha minoriteteve dhe të drejtave themelore në vend.
Për Malin e Zi, europarlamentarët mirëpresin progresin e vendit dhe qëllimin e Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim në qershor. Por rezoluta nënvizon nevojën për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe bën thirrje për më shumë barazi për rritjen e përfaqësimit të grave në parlament si dhe për barazinë e rrogave ndaj tyre.
Pas votimit, disa javë më parë, të rezolutave për Islandën, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, Shqipëria mbetet i vetmi vend aspirant për të cilin nuk ka ende një rezolutë të Parlamentit Europian, që prej dy vitesh.
Top Channel