Pas arrestimit të Viktor Gushit, policia ka mundur të evidentojë 16 akte të rënda kriminale të kryer prej tij, të cilat ishin në listën e krimeve të pazbardhura prej 4 vitesh.

Për një periudhe katërvjeçare, 44-vjeçari nga Patosi kishte mundur të realizonte një seri grabitjesh, katër prej të cilave kanë përfunduar me vrasje dhe plagosje të rënda.

Drejtori i policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj bëri të ditur disa prej detajeve të aktivitetit kriminal të Viktor Gushajt.

“Po përgatitej të kryente edhe vjedhjen e radhës. Ai ishte shumë i kthjellët për të kujtuar çfarë kishte bërë dhe tregonte me qartësi aktet që kishte kryer. Sa herë mbetej pa para përgatiste vjedhjen e radhës. Ky person ishte një frekuentues i rregullt i kazinove”, tha Çaushaj.

I konsideruar si objektivi më i rëndësishëm nga policia, arrestimi i Viktor Gushajt ka marrë një nga organizimet më të mëdha policore, duke përfshirë të gjithë sektorët e policisë.

Për shkak të natyrës së operacionit, mbahet e pandriçuar fusha e bashkëpunëtorëve, por sipas drejtorit të policisë së Tiranës, ndihmë të konsiderueshme dha edhe shpërblimi i vendosur prej policisë.

Megjithatë, ishin imazhet filmike të kamerës së një biznesi privat që i preu zinxhirin e grabitjeve vrasësit serial që trondiste Tiranën prej katër vitesh.

Viktor Gushi që pas divorcit tetë vjet më parë pranoi se ishte futur në botën e krimit fillimisht në Greqi, ku ishte dënuar për trafikim droge. Në vitin 2008 ai ishte kthyer në Shqipëri, ku ndërmori një sërë grabitjesh, kryesisht ndaj bankave.

Mësohet se në total ai kishte grabitur para në vlerën e 145 mijë dollarëve. Në formimin e tij psikologjik, pjesa e rënduar mbetet vetëm ajo ndaj femrave për shkak të divorcit, për të cilat ai i ka shpjeguar përpara policisë se i qëllonte pa paralajmërim se kundërshtonin.

Ai ka rrëfyer gjithçka që nga blerja e armëve në Tiranë e deri tek mënyra se si grabiste, plagosjen e arkëtares së postës tek Medreseja, arkëtares së Ujesjellës-Kanalizimeve, deri në vrasjen e fundit.

Arrestimet, Nishani vlerëson policinë

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka vlerësuar punën e bërë nga Policia e Shtetit për operacionin në Vlorë dhe atë në Tiranë.

Zyrtari i qeverisë theksoi se struktura e hetimit të krimit ka bërë një investigim profesional në mbështetje edhe të degëve operacionale në Tiranë dhe në Vlorë.
 
“Shpreh vlerësimin për strukturat e luftës kundër krimit të organizuar në Ministrinë e Brendshme, të cilat në një kohë rekord bënë të mundur paraqitjen e gjithë provave të nevojshme për strukturat që bënë më pas të mundur ndalimin”, u shpreh Nishani. Po ashtu ministri falenderoi qytetarët për bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në përmbushjen me sukses të operacioneve.

Grabitesi i të premtes, TCH publikoi në 2009 profilin e vrasësit

Një grabites qe punonte i vetëm, shumë profesionist me orare të percaktuara kur sulmonte dhe me bestytni, duke i organizuar grabitjet diten e premte. Ky ishte portreti psikologjik i kriminelit, i percaktuar me saktesi nga ekspertet qe tre vjet me pare.

Ne tetor te vitit 2009, Top Channel publikoi portretin e vrasesit, gjuetia e te cilit do te vazhdonte edhe tre vjet te tjera derisa te kapej. Ndiqni materialin e përgatitur nga gazetarja Anila Hoxha tre vjet me pare.

 Në qytetin e vrasësit

Viktor Gushi vrasësi dhe grabitësi që u arrestua në Tiranë, është lindur dhe rritur në një banesë në lagjen Dukas të qytetit të Patosit.

Kjo lagje përbëhet nga komuniteti arumun dhe pak nga banorët e mbajnë mend të riun për shkak se ai është larguar për në shtetin grek 15 vjet më parë.

Në një shtëpi banonin 7 persona, prindërit e Viktor Gushit, katër vëllezër dhe e motra. Vëllezërit jetojnë në qytetin e Patosit, ndërsa banorët e tjerë nuk dëshirojnë të komentojnë rreth ngjarjes duke thënë se nuk e njohin autorin e vrasjeve.

Top Channel