Arrestohet bankieri i mafias

01/04/2012 08:35

Një bankier italian, i dënuar në mungesë për lidhjet e tij me mafian, u arrestua të shtunën në Tajlandë, lajmëruan autoritetet e vendit aziatik.

Vito Palazzolo, 64 vjeç, është shpallur fajtor dhe dënuar me nëntë vjet heqje lirie për pastrim parash për llogari të mafias siçiliane të “Cosa Nostras”.

Ai ishte hetuar në kuadër të operacionit “Pizza Conection”, i kryer nga FBI dhe policia italiane, që shkatërroi një rrjet mafioz që mundësonte eksportin e drogës nga Siçilia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1970-80 dhe përdorte disa piceri për të mbuluar gjurmët.

Palazzolo gjithmonë i ka mohuar akuzat dhe u shpreh se do të luftojë kundër ekstradimit. Për vite me radhë, ai i shpëtoi përballjes me ligjin duke jetuar në Afrikën e Jugut, ku autoritetet refuzonin arrestimin e tij për llogari të drejtësisë italiane.

Policia italiane, nëpërmjet një komunikate njoftoi se kishte gjetur vendndodhjen e të shumëkërkuarit duke ndjekur lëvizjet e kryera prej familjes së tij.

Palazzolo konsiderohet fajtor për pastrimin e dhjetëra milionë dollarëve për mafian, ndërsa punonte si bankier në Zvicër. Ai ka pranuar akuzën e riciklimit, por është shprehur se ka vepruar nën kërcënim.

Top Channel