Dy policët kufitare të Kosovës, Sami Beqiri dhe Shukri Binaku, të rrëmbyer nga xhandarmëria serbe të shtunën paradite, janë liruar të hënën pas 48 orësh paraburgim.

Ata janë sjellë në Kosovë me një automjet të EULEX-it në pikën kufitare në Merdar dhe menjëherë janë dërguar në stacionin policor të Llozhanit, në afërsi të Podujevës, ku siç mëson Top Channel për disa orë janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Më vonë, të dy policët janë dërguar edhe njëherë në vendin ku ishin rrëmbyer, në brezin kufitar me Serbinë, për të përcaktuar vendin se ku janë kapur ata. Familjarët e dy policëve, me të marrë vesh lajmin për lirimin e tyre, kanë ardhur në Lluzhan për të parë të sapoliruarit.

Shefki Beqiri është ndjerë i lumtur gjatë së hënës kur mori vesh lajmin për lirimin e vëllait të tij, Samiut, dhe policit tjetër. Siç tregoi për Top Channel, ai takoi për pak çaste vëllanë e tij që i është dukur i lodhur.

“Si familjarë dhe të afërm, normal që kemi qenë të shqetësuar për shumë arsye. Por kthimin e tyre e kemi pritur mirë, besoj se gjithë Kosova e ka pritur mirë. Ata ishin pak të lodhur fizikisht, por kanë qenë edhe psikologjikisht të lodhur”, tregon Shefki Beqiri.

Ndryshe, Policia e Kosovës, ka shtuar patrullimet në zonën kufitare me Serbinë. Forcat që janë aktivizuar janë njësi të veçanta që merren vetëm me patrullimin e vijës së gjelbër.

Patrullimet në këtë pjesë të kufirit Kosovë-Serbi bëhen 24 orë në ditë, pa ndërprerje. Ato zakonisht bëhen me KFOR-in meqë deri më tani kjo vijë kufitare është pjesë e përgjegjësisë së KFOR-it, ndryshe nga kufiri me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë që ka kaluar në përgjegjësinë e Policisë së Kosovës.

Sidoqoftë, arrestimi i policëve të Kosovës kishte nxitur reagimin e institucioneve të vendit, duke e cilësuar si agression dhe rrëmbim. Ndërsa, vetë ministri serb, Daçiç, pas lirimit të dy policëve ka thënë se Serbia nuk ka për qëllim të përkeqësojë marrëdhëniet më shumë, por për të është me rëndësi që dy policët e Kosovës të ndiqen penalisht.

Krasniqi: Serbia sulmoi hapësirën e Kosovës

Arrestimi i policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe ishte një akt që tregon se politikat e regjimit të Beogradit nuk kanë ndryshuar.

Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Kraniqi, pas një takimi të kryesisë së Kuvendit, të zhvilluar paraditen e së hënës.

Në një komunikim për mediat, kryeparlamentari ka nënvizuar se Ministria e Brendshme e Kosovës duhet të raportojë në Parlament posaçërisht për çështjen në fjalë.

“Arrestimi ishte një sulm i shtetit serb në hapësirën e Kosovës, prandaj MPB-ja duhet që të informojë Kuvendin në mënyrë të detajuar për këtë ngjarje”, ka theksuar Krasniqi.

Rasmussen: Të shqetësuar për veriun

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ngjarjet e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, që kulmuan me arrestimin e dy policëve kosovarë.

“Ne nuk kemi një fotografi të plotë të asaj që ka ndodhur, por NATO është e shqetësuar për zhvillimet e fundit. Megjithatë, ne besojmë se palët përgjegjëse do të mund ta zgjidhin çështjen”, ka deklaruar Rasmussen.

Tashmë, shkruajnë mediat kosovare, është konfirmuar se policët Shukri Bunjaku dhe Sami Beqiri i janë dorëzuar misionit EULEX dhe janë kthyer në Kosovë. 

Top Channel