“Arsimi në moshën dixhitale”

03/04/2012 00:00

Reforma e dixhitalizimit të sistemit arsimor në Shqipëri ka shënuar progres. Kështu ka deklaruar Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj gjatë një konference me temë “Arsimi në moshën dixhitale”.

“Janë ndërtuar sistemet elektronike për regjistrat kombëtarë të nxënësve, mësuesve, studentëve dhe pedagogëve.Çdo student do të ketë një numër kombëtar regjistrimi, po ndërtohet një sistem elektronik i aplikimit për maturën shtetërore dhe pranimet në universitete, diploma e maturës shtetërore u lëshua për herë të parë në nivel kombëtar, administrimi dhe menaxhimi i sistemit arsimor po modernizohet në të gjitha nivelet. Rrjeti elektronik po shtrihet në universitete”, deklaroi ministry Tafaj.

I pranishëm në konferencë ishte dhe kryeministri Sali Berisha. Ai ka pranuar mungesën e cilësisë së diplomave në arsimin e lartë duke mbështetur qëndrimet kritike për këtë çështje.

“Të kritikosh për cilësinë është gjëja më e drejtë, më normale sepse ciëlsia duhet të jetë qëllimi dhe motivi ynë kryesor. Le të hedhim një vështrim tek provimet e shtetit që u dhanë me sistemin dixhital. Cili është rezultati i tyre në krahasim me sistemin tjetër? Rezultati ju fton ju të ndruar zotërinj rektorë, dekanë që të bëjmë gjithcka për të shtrirë sa më shumë provimet dixhitale në shkollat tona të larta”, tha kryeministri Berisha.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, aktualisht në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të vendit është rritur kapaciteti i laboratorëve dhe kompjuterave duke arritur mesataren e kërkuar sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Top Channel