AK: Do ta zgjidhim çështjen e pronës

04/04/2012 00:00

Me moton “Pushteti shkatërroi pronën”, Aleanca Kuqëzi në bashkëpunim me
dy shoqatat e ish-pronarëve organizuan një tryezë, ku është diskutuar
zgjidhja që duhet marrë ky problem.

Kreshnik Spahiu, kreu Aleancës Kuq e Zi u shpreh se gjatë këtyre 22 viteve partitë politike që kanë udhëhequr Shqipërinë ia shkatërruan pronën shqiptarëve.

“Jemi në një situatë, ku njerëzit ndihen të tradhëtuar, vargu i akteve ligjore dhe nënligjore, të cilët burojnë nga ligji 7501, i cili realisht është një tradhëti kombëtare për të futur shoqërinë shqiptare, për të futur territorin shqiptar në një kaos, duke nxjerre jashtë kontrollit territorit dhe duke e bërë shtetin e parë në Europë, i cili nuk ka kontroll mbi territorin e vendit. Duke bërë që brez pas brezi shqiptarëve mos iu njihet prona e tyre, prona e cila trashëguan nga prindërit, gjyshërit, paraardhësit e tyre, pronë e cila u fitua me djersë dhe me gjak nga paraardhësit e tyre”, tha Spahiu.

Agim Toro, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Pronësi me Drejtësi tha se kostoja e mos kompensimit të pronave në dëm të pronarëve legjitim, sipas përllogaritjeve shkon në 30 miliardë euro.

“Unë personalisht, por edhe shokët e mi, nuk ia falim politikës shqiptare, qënien e Shqipërisë jashtë Europës, pas 20 vjetësh pushtet demokratik. Kjo ndodhi thjesht sepse mentaliteti komunist i vlerësimit të pronës vazhdon të jetë njësoj, si në të kaluarën”, tha Toro.

Në fund të këtij aktiviteti shoqatat e ish-pronarëve nënshkruan një deklaratë për t’ju bashkuar Aleancës Kuq e Zi. Propozimet dhe sugjerimet e dala nga kjo tryezë, Aleanca Kuqëzi do t’ia bashkojë programit, i cili do të paraqitet për miratim, në Kuvëendin mbarëkombëtar që do të mbahet në muajin Maj.

Top Channel