PS: Ringjallja e mjedisit, misioni ynë

04/04/2012 00:00

Partia Socialiste ka mbledhur pasditen e së mërkurës tryezën kushtuar mjedisit, ku të pranishëm kanë qenë edhe grupet e interesit.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar qeverinë aktuale se ka shkatërruar një pasur të trashëguar prej dekadash.

“Bukuritë natyrore po keqshfrytëzohen në mënyrë spektakolare, sipërfaqet pyjore po shfaqin çdo ditë një zvogëlim dramatik”, ka deklaruar Rama.

Duke vlerësuar se parimet themelore të mbrojtjes së mjedisit janë masat parandaluese, lideri i opozitës e ka vënë theksin edhe tek masakrat që po u bëhen lumenjve.

“Marrja e inerteve është faktori kryesor i shembjes së urave në vend. Mbetjet urbane dhe shkatërrimi i shtretërve të lumenjve janë evidente”, ka thënë Rama.

Më tej kryetari i PS ka nënvizuar se i nevojshëm është edhe riciklimi i mbeturinave, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i qytetarëve dhe ka shtuar se ringjallja e mjedisit do të jetë prioritet i PS.

“Të ndalim rrënimin e mëtejshëm. Politika aktuale po e shfarros mjedisin. Të ringjallim Shqipërinë e gjelbër është misioni i programit tonë”, ka shtuar Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB