Ligji i qeverisë, që u jep fermerëve të drejtën juridike, për të ngritur
kooperativa të përbashkëta mbi një bazë ligjore deri tani të munguar, ka
hapur në Parlament debatin sesa shteti duhet të ndihmojë fermerët.

Opozita kishte kritika se ligji ishte i paplotë në këtë drejtim.

“Këtij projektligji i mungon thelbi i politikave komunitare për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, që janë incentivat. Çfarë jep qeveria për të stimuluar bashkëpunimin bujqësor ndërmjet fshatarëve? Fermerët europiane, sigurisht bashkohen në shoqëri bashkëpunimi bujqësor, sepse Bashkimi Europian i stimulon me kredi, subvencione, me politika që garantojnë planifikim të prodhimit dhe garanci të tregut. Po fshatari shqiptar, përse të bashkohet në një shoqëri bashkëpunimi bujqësor? Kjo është pyetja që nuk merr përgjigje në këtë projektligj. Edhe vetëm, edhe më te tjerë, në një shoqeri bujqësore naften, plehrat, farat, inputet bujqësore do t’i blejë me të njëjtin çmim”, tha deputeti socialist Taulant Balla.

Ministri i Bujqësise, Genc Ruli, prezantoi shifra që provojnë, sipas tij, se aktualisht këto bashkime fermerësh ekzitojnë, por, që në mungesë të Ligjit për Kooperimin Bujqesor, janë ngritur si organizata jofitimprurëse apo duke gjetur një forme tjetër nga një ligj i papërshtatshëm. Sipas zotit Ruli ky ligj, si në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian nuk ka për qëllim stimulimin fiskal të fermerëve, por vetëm krijimin e modaliteteve juridike të funksionimit të kooperatives sipas standardeve europiane.
 
“Pra, japin vetem statusin juridik të saj dhe ia kanë lënë ligjeve të veçanta, përgjithësisht ligjeve fiskale, të trajtojnë gjithë elementin e incentivës fiskale. Dhe pikërisht që tani skemat tona, pa dalë ky ligj, gjithmonë kanë vënë një bonus për të përftuar subvencionin, nëse fermeret vijnë të bashkuar. Duan të blejnë një traktor? Po të jetë një fermer i vetëm, që do të marrë kredi nga skemat tona për traktorin, i duhet nje numer pikësh për ta marrë, ndërsa po të jenë tre-katër fermerë, që aplikojnë bashkarisht kanë një bonus dhe e marrin me prioritet, në krahasim me një të vetëm. Te tilla skema mund te jene me te mira sesa lehtesite fiskale normative, që jepen për të gjithë subjektet, si për ata që janë në treg dhe ata qe nuk jane dhe që në shumë raste janë kthyer në skema dështimi”, tha Ruli.

Megjithëse kishte vërejtje, opozita e votoi pro këtë ligj. Por kjo nuk i pengoi socialistët që t’i kërkonin më herët qeverisë të pranonte propozimet e tyre për të ndihmuar fermerët.

“Të ulni TVSH për inputet bujqësore dhe akcizën për karburantet është e vetmja mënyrë për të nxjerrë fermërët nga gjendja e vështirë ku ndodhen”, tha deputeti socialist, Saimir Tahiri.

Top Channel