Muça: Xhamia në Tiranë, puna të nisë sa më shpejt

07/04/2012 00:00

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi për të shtatin vit radhazi
programin festiv, në përkujtim të Profetit Muhamed, i cili sipas fesë
Islame është dhe vula e profetëve.

Pas performancave të artistëve shqiptarë dhe të huaj, kryetari i KMSH, Haxhi Selim Muca i ka kërkuar kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Basha të përshpejtojnë fillimin e ndërtimit të xhamisë së madhe në kryeqytet.

“Dëshiroj të falenderoj nga zemra, në emër të gjithë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë, kryeministrin, Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në vecanti për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë, e cila shpresojmë që pas kaq vitesh do të bëhet realitet. I ftoj të vëmë gurin e parë themel të xhamisë Bajramin që vjen”, tha Haxhi Selim Muça.

Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij, tha se “Shqipëria numëron një numër shkollash ndër më seriozet, Medresenë, Universitetin Bedër, i cili do të bëjë që Islami të flasë shqip në mbarë botën”. “Së bashku, me durim, me përkushtim edhe në këtë 100-vjetor kryeqyteti pret me padurim xhaminë. Shumë shpejt, me kryetarin e bashkisë do ta inaugurojmë atë”, tha Berisha.

Pasi vlerësoi harmoninë fetare në vendit tonë, kryeministrit Berisha i është dhuruar nga artistja turke Gulsen një pikturë me flamurin shqiptar e bërë me një lloj teknike orientale që quhet Ebru.

Top Channel