Shpërthimet në veri të Kosovës nuk kanë të ndalur. Pas vrasjes së
shqiptarit Selver Haradinaj mëngjesin e së shtunës, dy shpërthime të
tjera të fuqishme kanë ndodhur sërish në zonë.

Sipas policisë njëri shpërthim ka ndodhur rreth mesnatës dhe tjetri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së hënë. Shpërthimet kanë tronditur banorët e pjesës veriore të Mitrovicës, por fatmirësisht nuk ka të lënduar, ndërsa të dyja shpërthimet kanë ndodhur në afërsi të shkollës së mesme teknike, zonë kjo e banuar me popullatë shumicë serbe.

Në anën tjetër mediat serbe raportojnë për rrahjen e një serbi të moshuar. Sipas mediave të Beogradit rrahja e banorit serb është bërë në shenjë hakmarrjeje pas vrasjes së qytetarit shqiptar Selver Haradinaj. Pas tensionimit të situatës së sigurisë policia njofton për shtimin e masave të sigurisë kryesisht në pjesët ku janë të banuara me shqiptarë dhe serbë.

Shpërthimi i merr jetën shqiptarit

Një banor i lagjes “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë humbi jetën si pasojë e një shpërthimi në orët e para të së dieles. 

Një mjet shperthyes i mori jetën Selver Haradinajt, në shtëpinë ku ai jetonte së bashku me 5 anëtarët e tjerë të familjes së tij të ngushtë në zonën e “Tre rrokaqiejve” që ndodhet afër lumit Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës në Jug dhe Veri.
 
Për fat të mirë, 4 fëmijët e të vrarit, dhe bashkëshortja e tij kanë shpëtuar me lëndime të lehta. Ata janë dërguar menjëherë në spital dhe kanë dalë më pas.
 
Besohet se mjeti shperthyes është një sasi 500 gram e eksplozivit plastik, që është aktivizuar me fitil ngadalë-ndezës, në parmakët e dritares së apartamentit të katit përdhesë të familjes Haradinaj.
 
Ende nuk ka të dyshuar dhe nuk dihet për motivet që kanë çuar në këtë akt kriminal, mirëpo nuk përjashtohet as mundësia se sulmi në lagjen e përzier etnikisht me shqiptarë dhe serbë, është motivuar nga paragjykimi mbi bazat e urrejtjes ndëretnike.
 
Deri më tani ende nuk është raportuar për persona të arrestuar apo të dyshuar, ndërsa sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, “sektori i hetimeve të krimeve serioze në Mitrovicë, është duke ndjekut hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e rastit”.
 
Sipas banorëve të kësaj pjese, të cilët hezitonin të flisnin para kamerave, shpërthimi ishte i fuqishëm, sa që ka tronditur të gjithë, dhe dëmet materiale janë shkaktuar edhe në objektet përreth.
 
Sipas tyre, sulmi kriminal ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek banorët shqiptarë të cilët jetojnë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. 

 

Top Channel