Tiranë, vritet oficeri i policisë së burgjeve

10/04/2012 00:00

Kryeqyteti është tronditur në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi krimi ka goditur një nga oficerët e policisë së burgjeve. Agjenti është gjetur i  vrarë me tre plumba në orët e para të ditës së sotme.

Sipas burimeve zyertare të policisë së Tiranës, oficeri i policisë është Ymer Hajdari, me orgjinë nga Mamurrasi i Kurbinit, por që banonte pranë zonës së Unazës së Re në Tiranë.

Të njëjtat burime shprehen se Hajdari po dilte me makinën e tij personale nga pallatet e Unazës, për në rrugën kryesore, ku mendohet se do shkonte në punë, kur edhe është qëlluar me tre plumba.

Burimet shprehen se para daljes në rrugën kryesore, dyshohet se personat që kanë kryer atentatit i kanë bllokuar atij kalimin duke e detyruar të ndalonte e më pas e kanë qëlluar në xhamin e parë të makinës.

Ai është gjetur i vdekur nga kalimtarë të rastësishëm të cilët po nxitonin për të udhëtuar në punë, por që makina e oficerit të policisë u kishte bllokuar rrugën atyre.

Pas vrasjes policia e Tiranës ka mbërritur në vëndin e ngjarjes, duke nisur edhe hetmet për zbardhjen e ngjarjes, por deri tani akoma nuk ka të ndaluar për ekzekutimin e oficerit të policisë. Gjithësesi, burimet policore shtojnë se dyshimet e para bien mbi konflikte dhe hasmëri të vjetra.

Top Channel