
Qeveria do të detyrojë bizneset që prodhojnë mallra akcizë të
parapaguajnë garanci në ‘cash’ apo asete edhe për produktet që kanë stok
në magazina, përpara shitjes së tyre.
Zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj shpjegoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, se si do funksionojë skema sipas ligjit të ri.
“Një subjekt prodhon në një vit të caktuar, themi 100 litra verë. Këtë sasi e ka në gjendje të pezullimit tatimor, ai nuk paguan akcizën, por borxhi i akcizës ka lindur sepse malli është prodhuar. Ai duhet ta garantojë këtë produkt, sepse në çdo moment mund ta nxjerrë jashtë”, tha Rushaj.
Ligji i ri i detyron bizneset që të paguajnë akcizën, që në momentin kur nxjerrin mallin nga magazinat tatimore.
“Nga momenti që produkti del dhe subjekti nuk e ka parapaguar akcizën, atëherë në mënyrë automatike sistemi i zvogëlon garancinë, në shumën që i korrespondon akcizës që ndodhet në kamion. Në momentin që lëshon magazinën fiskale, ai mall konsiderohet i hedhur për konsum në treg”, tha Rrushaj.
Por opozita thotë se garancia do të rrisë fort kostot e biznesit, por edhe ato të administratës.
“Rritja e kostos fillon që nga momenti i transferimit të detyrimit për mbledhjen, përgjegjësisë për mbledhjen dhe pastaj me elementin e garancisë apo sigurisht të dorëzanisë, të cilat në këndvështrimin tim kanë paqartësi dhe mendoj që do të rrisin koston për biznesin, por në një këndvështrim mund të rrisin edhe koston për administratën”, tha deputeti socialist, Arben Ahmetaj.
Ligji i ri për akcizën u votua në Komision nga deputetët e maxhorancës, ndërkohë që opozita votoi kundër.
Top Channel