Degjeneron procesi për KLD, Çefa fiton pa LSI

12/04/2012 00:00

Demokratët mundën të ruajnë një mazhorancë minimale në parlament, 71 vota, për të kaluar gati in extremis kandidaturën e Elis Çefës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Përballë Elis Çefës socialistët kishin propozuar avokatin Ardian Visha, mbrojtës ligjor i Fatmir Mediut në procesin e Gërdecit. Madje avokati Visha kishte deklaruar në mes të Komisionit të Ligjeve se besonte në pafajësinë e klientit të tij, Fatmir Mediu, duke iu kundërvënë kështu hapur qendrimit të socialistëve që e konsiderojnë “Gërdecin” si një krim shtetëror.

Ndaj seanca e të enjtes paraqiste interes të veçantë edhe për të parë lëvizjet e votave. Një seancë ku si rrallë ndonjëherë merrnin pjesë të tërë deputetët e Kuvendit, me përjashtim të Rudina Seserit që ka dhënë dorëheqjen.

Por, votimi që për emërime të tilla është i fshehtë, shkaktoi debat pikërisht në kohën kur Sekretariati i Votimit po përgatiste kutitë për një votim manual. Duke qenë se seanca në këtë moment ishte e ndërprerë, planet që po ndiqni janë xhiruar në mënyrë amatore me celular nga një deputet i opozitës.

Gjithçka duket gati për të filluar votimin. Por, situata tensionohet pasi mazhoranca kërkon që fletët të firmosen nga Sekretariati i Votimit në momentin kur deputetët do të paraqiten për t’i tërhequr ato. Opozita, duke pasur frikë se fletët do të firmoseshin në mënyra të ndryshme që mund të identifikonin votën e deputetëve të caktuar, kërkoi ose firmosjen e njëhershme të të gjitha fletëve përpara fillimit të votimi, ose vulosjen e tyre.

Kjo nuk pranohet nga mazhoranca dhe situata tensionohet, madje mes vetë kryeministrit Berisha dhe kryetarit të grupit socialist Gramoz Ruçi.

Nga zërat në sfond dëgjohet të dëgjohet edhe “21 Janari”.

Në këto kushte, në mungesë të konsensusit dhe ndërkohë që opozita po protestonte pranë foltores, kryetarja e Kuvendit çeli seancën dhe i hodhi kandidaturat për votim në mënyrë elektronike. Një mënyrë kjo, që teknikisht është e fshehtë, por që socialistët e hodhën poshtë qysh në fillim sepse dyshojnë që kushdo që ka akses në sistemin e votimit elektronik, mund të kontrollojë votën e çdo deputeti.

Ndërkohë, duke përmendur nominalisht disa emra deputetësh, si Kastriot Islami, Ilir Meta, Lefter Koka apo Vangjel Tavo, kryetarja e Kuvendit në mos dekonspiroi votën e tyre, hodhi një hije të fortë dyshimi, pasi në fund kandidati i mazhorancës mori 71 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Pra të tërë ata që morën pjesë në votim, votuan për të. Dhe sipas deputetëve të pranishëm në sallë, në votim kanë marrë pjesë edhe ish-deputeti socialist Kastriot Islami edhe deputeti Fatmir Mediu.

Burime të caktuara brenda LSI-së hedhin poshtë pjesmarrjen e Ilir Metës në votim. Por një gjë është e sigurt: mazhoranca pati rrjedhje votash. E mbetur me 73 deputetë pas largimit të Gazmend Oketës, mazhorancës në këtë seancë iu bashkua Kastriot Islami, që e çoi këtë numër në 74. Por kandidatura e demokratëve mori 71 vota, çka do të thotë se 3 deputetë, me shumë gjasë të LSI-së, nuk morën pjesë në votim.

Pas mbarimit të seancës socialistët mblodhën urgjent grupin parlamentar, kurse kryetarja e Kuvendit nga ana e saj nxori një deklaratë që dënoi ashpër atë që ajo e konsideroi “dhunë të organizuar të një grupi deputetësh të opozitës”.

Në mbështetje të kësaj, kryetarja Topalli shpërndau disa plane filmike të xhiruara nga kameramani i Kuvendit, ku dëgjohet kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruci të deklarojë se këtu vendosim ne.

Kryetarja Topalli në sqarimin e saj i referohet rregullores së Kuvendit sa i takon procedurës së votimit dhe një praktike votimit të zbatuar në 20 vjet parlamentarizëm.

Kjo dhunë e organizuar dhe e qëllimshme, deklaron kryetarja Topalli, është dhunë ndaj parlamentit, parlamentarizmit dhe shtetit ligjor. I zgjedhur në këtë mënyrë si përfaqësues i parlamentit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Elis Çefa do të zëvendësojë Kreshnik Spahiun.

Ruçi: Berisha na kërcënoi

Menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare Partia Socialiste thirri në një mbledhje urgjente grupin e saj parlamentar.

Gjatë një komunikimi me mediat, kreu i grupit parlamentar socialist,
Gramoz Ruçi, pa bërë asnjë koment politik tregoi atë çka kishte ndodhur
në kohën kur mediat nuk ishin prezente.

Zoti Ruçi tha se ai dhe homologu demokrat Patozi ranë dakort për votimin
me fletë dhe kuti, por ishte një detaj teknik dhe urdhëri i Berishës,
ata që bllokuan procesin.

“Përfaqësuesi ynë e kundërshtoi. Ne biem dakort të ketë fletë votimi,
tha, të ketë vulë, të ketë  të treja firmat tona, të firmosim dhe
vulosim të 139 fletët e votimit me qëllim që asnjë anëtar i komisionit
të mos ketë shenjë në fletën e votimit që të identifikojë fletën e
votimit me identitetin e deputetit votues. Këtu lindi konflikti dhe u
bllokua votimi në sallën e parlamentit. Pasi bllokohet procesi unë
kërkova takim me zotin Patozi dhe e vura në dijeni për këtë situatë.
Zoti Patozi fillimisht kundërshtoi, por pasi unë e sqarova, mora vesh
një gjë: që edhe ai ishte plotësisht dakort me atë që kërkonte
përfaqësuesi ynë. Ashtu si rrodhën ngjarjet më pas mora vesh që homologu
im ishte kundër kësaj skeme, kundër këtij urdhëri që ishte dhënë nga
shefi i tij, dhe ai sigurisht që nuk kish dijeni”, sqaroi zoti Ruçi.

I pyetur nga gazetarët, zoti Ruçi tha se ky votim nuk njihet si i
rregullt dhe ligjor nga Partia Socialiste ndërsa konfirmoi kërcënimin e
kryeministrit Berisha drejtuar deputetëve socialistë me shprehjen: “Ti,
Ju e provuat në 21 Janar”.

“Ti, Ju e keni provuar në 21 Janar. Kjo ka qenë shprehja e artikuluar nga kryeministri Berisha”, tha Ruçi.

Topalli: PS tentoi të bllokonte procedurat


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në një deklaratë pas seancës ku u zgjodh mes debatesh të ashpra anëtari i ri i KLD-së, tha se një grup deputetësh opozitarë u përpoqën që të bllokonin procedurat e votimit.

“Votimi i fshehtë administrohet nga sekretariati, i cili ka fuqi të plotë. Sekretariati vulos dhe firmos fletët e votimit para se t’i dorëzohen çdo deputeti”, shprehet në deklaratën e saj Topalli.

Kryeparlamentarja theksoi se grupi i opozitës kërkoi të ndryshoheshin procedurat e punës së sekretariatit, ndërsa akuzon kryetarin e grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi se ka rrëmbyer fletët e voptimit për të mos lejuar votimin me kuti. “Nga bllokimi i PS, Parlamenti procedoi votimin e fshehtë me elektronikë”, thuhet në reagim.

Votimi, Patozi sulmon PS

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi në një konferencë për shtyp ku deklaroi se Partia Socialiste ishte njoftuar paraprakisht për procedurën e votimit të anëtarit të KLD-së në Kuvend.

Sipas Patozit kishte një dakordësi për mënyrën e votimit të anëtarit të ri të KLD-së me kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, procedurë që qendroi, sipas tij, strikt sipas rregullores së Kuvendit.

“Kishim rënë dakord me Ruçin për mënyrën e votimit. Kuvendi i qëndroi strikt rregullores. Edi Rama nuk beson tek askush, madje as tek komisionerët e vet. I thashë  Ruçit se nuk mund të shpikim procedura të reja. Në të njëjtën mënyrë kemi zgjedhur edhe Presidentin. Me kaq është mbyllur komunikimi me Ruçin. Më pas nuk kanë lejuar kryeministrin që të votonte. Procesi i votimit u bë i pamundur. Në këto kushte duhej votimi elektronik sepse ishte e vetmja mënyrë që seanca mos të kalonte në kolaps të plotë”, tha Patozi.

Top Channel