Lumi Vjosë, 80 për qind e rrjedhës së tij, e ndotur

13/04/2012 00:00

Vjosa lumi më i rëndësishëm për nga gjatësia dhe prurja e ujërave në
rajonin jugor rezulton sot në 80 për qind  të rrjedhës së tij i ndotur.
Sipas ekspertëve rajonalë të mjedisit, lumi i cili përshkon me 192
kilometra territorin shqiptar rrit parametrat e ndotjes sapo hyn në
Shqipëri.

Ende sot në territorin e Greqisë përgjatë 80 kilometra të Vjosës janë të vendosur disa parqe kombëtare, ku jetojnë arinjtë e murrmë.

Në fakt përgjatë gjithë luginës deri në grykëderdhje janë të vendosura më shumë se 40 komuna dhe bashki që rezultojnë edhe ndotësit kryesorë të luginës.

Përfaqësuesit e CESVI, një organizatë me bazë lokale kanë vëzhguar gjatë aktivitetetit të tyre në Përmet ritmin e ndotjes në Vjosë. Menaxherja lokale e CESVI, Denada Koreshi thotë se ata po përpiqen të ndërgjegjësojnë nxënësit e shkollave për këtë problem që lidhet me të ardhmen.

Ndërkaq Agjensitë Rajonale e Mjedisit kanë gjobitur disa komuna që derdhin mbeturinat e tyre në lumë, por kjo nuk po e ndryshon cilësinë e ujërave që vlerësohet të kenë dyfishuar ndotjen gjatë 5-vjeçarit të fundit. Përvec ndotjes, shpyllëzimi masiv, tharja e rrapit lumor dhe gjuetia e paligjshme po çon drejt degradimit një prej pasurive më të rëndësishme ujore në Jug të Shqipërisë.

Top Channel