Tadiç: Do respektojmë të drejtën ndërkombëtare

16/04/2012 15:45

Presidenti i dorëhequr i Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se vendi i tij do të respektojë të drejtën ndërkombëtare përsa i përket çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Kjo, pasi sipas tij, çdo gjë që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, është në përputhje edhe me ligjet dhe Kushtetutën e Serbisë.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar na thotë se rezoluta 1244, e cila është bazë për mbrojtjen e sovranitetit tonë në Kosovë, nënkupton se institucionet ndërkombëtare duhet të kujdesen për zgjedhjet, atëherë ne do ta respektojmë këtë gjë”, ka pohuar Tadiç.

I cituar nga “REL”, kryetari i Partisë Demokratike ka nënvizuar se në rast të kundërt vetë Beogradi do të shkelte rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

“Të gjithë ata që thonë të kundërtën, nuk thonë të vërtetën dhe merren vetëm me patriotizëm të rremë”, është shprehur më tej Tadiç, i cili në maj do të garojë sërish për postin e kreut të shtetit.

Së fundmi zyrtarë të shumtë të Serbisë kanë deklaruar se qeveria e Beogradit nuk do të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë, pas refuzimit të misionit të UNMIK-ut për t’u kujdesur për to.

Gjithashtu, mbajtja e zgjedhjeve lokale edhe në territorin e Kosovës është kundërshtuar nga zyrtarë të shumtë ndërkombëtarë, si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel