“Berisha, afera me mafian serbe”

16/04/2012 00:00

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha akuzohet për bashkëpunim me mafian serbe në sektorin energjetik në dëm të shtetit të Kosovës.

Në një artikull të botuar në të përditshmen kosovare “Zëri”, shkruhet se kryeministri Berisha ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë.

Bllokimi i këtij projekti nga ana e kryeministrit Berisha i ka siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi që për momentin Kosova të vetmen rrugë për import të energjisë ka fqinjin verior.

Gazeta citon burimet e saj se kanë treguar se si biznesmeni serb, Vuk Hamoviç, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliç, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha.

“Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës”, kanë thënë burimet e “Zëri”.

Është mësuar po kështu se tenderi për ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë, me kapacitet prej 400 kilovoltë, është hapur në mars të vitit 2011. Ky projekt financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe ndërtimi i tij do t’i sillte Kosovës pavarësinë nga linjat serbe.

“Zëri” shkruan se në proçedurat e rregullta të tenderit morën pjesë disa kompani të njohura të kësaj fushe si “Dalekovod” nga Kroacia dhe “Energo Invest” nga Bosnjë e Hercegovina.

Kompania e parë “Dalekovod” është një kompani shumë e suksesshme në këtë fushë në mbarë botën, e cila ka përfunduar me suskes edhe linjën e transmetimit të energjisë Elbasan-Podgoricë, me një kapacitet po ashtu 400 kilovoltësh.

Pas vlerësimit nga komisioni i tenderit, ku merrnin pjesë zyrtarë të Operatorit të Sistemit të Transmisionit, Operatori i Sistemit, Transimsionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Republikës së Kosovës, si dhe konsulenti gjerman “Intesh Gopa”, fitues i tenderit u shpall kompania kroate “Dalekovod”.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, ky projekt mbeti nën mëshirën e kohës pas emërimit të drejtorit të ri të OST-së, ish-truprorja e Sali Berishës, njëherësh ish-drejtor i doganës së Durrësit, Arben Ibroja.

Ibroja, i udhëzuar nga kryeministri Sali Berisha bllokoi projektin për një kohë të pacaktuar. Ky projekt ka indinjuar më së shumti Bankën Gjermane për Zhvillim, e cila e ka shprehur shqetësimin e saj edhe në një letër dërguar Ministrisë së Financave më 5 dhjetor të vitit 2011.

“Ne po shikojmë me shqetësim të shtuar vonesat në proçesin e dhënies së kontratës për ofertuesit më të mirë për këto dy projekte të mëdha energjetike. Ndonëse për të dyja projektet raportet finale u janë dërguar javë më parë, por deri më tani aprovimi përfundimtar nga OST nuk është dhënë, ku si rrjedhojë është vonuar fillimi i negociatave për kontratën dhe nënshkrimin e saj”, thuhet në letrën e drejtorit të Bankës Gjermane për Zhvillim, Roland Siller.

Më tej Siller kërkon nga qeveria e Shqipërisë që ta rishikojë edhe njëherë këtë çështje dhe të sigurojë se ky proçes nuk do të vonohet më tej. Drejtuesit e Bankës Gjermane i kanë shkruar qeverisë shqiptare edhe më 7 shkurt të këtij viti.
Në këtë letër është cekur se vonesat në projekt shkaktojnë kosto ekstra, por të gjitha këto sipas “Zërit” kanë rënë në vesh të shurdhër. Kjo e përditshme citon burimet e saj të kenë thënë se autoritetet shqiptare asnjëherë nuk i janë përgjigjur Bankës Gjermane për Zhvillim.

Pjesë e ankesave është bërë edhe kompania fituese e tenderit “Dalekovod” nga Kroacia. Në një letër drejtuar OST-së, zyrtarë të kësaj kompanie thonë se prej më shumë se 3 muaj e gjysmë nuk ka asgjë lidhur me projektin për të cilin kjo kompani është shpallur fituese.

Naço: Shtymë tenderin. Opozita: Zvarritja favorizon serbët

Ministri i Energjetikës Nasip Naço pranoi se tenderi për linjën e interkonjeksionit që lidh Shqipërinë me Kosovën është shtyrë duke shpjeguar arsyet:

“Në dijeninë time tenderi është bërë prej disa muajsh. Autoriteti kontraktues nuk ka qenë gati që të lidhte menjëherë kontratën pasi ka menduar që termat e referencës kishin probleme në lidhjen e kontratës. Është diskutuar nga zyrat juridike në Ministrinë e Ekonomisë, por edhe tek ato të OST-së, është marrë një mendim më i kualifikuar dhe do të jepet një zgjidhje në ditët në vijim”, thotë ministri Naço.

Por opozita thotë se zvarritja e ndërtimit të linjës dëmton interesat e Shqipërisë dhe Kosovës dhe duket e qëllimshme për të mbrojtur interesat e biznesit serb.

“Jemi të detyruar të mendojmë që një prioritet i tillë në interes të Shqipërisë dhe Kosovës, bllokuar prej një viti e ca, duhet të ketë qëllime ose korruptive ose interesa të palëve që nuk janë të interesuar për krijimin e kësaj linje me krijimin e pavarësisë së Kosovës”, thotë deputeti PS-së, Artan Gaçi.

KFW që është dhe financuesja e projektit ka patur ankesa për shtyrjen e afateve dhe Ministri i Ekonomisë pranon që ka patur letërkëmbim në lidhje me këtë çështje.

Nasip Naço, Ministër i METE: Sigurisht kemi patur letërkëmbim, është një kontratë që do të lidhet mes KFW-së dhe OST-së. Nuk besohet që një kontratë mund të firmoset me një intervistë, ka disa kushte ligjore që secila palë duhet t’i përmbahet dhe termave të referencës. Nëse është në përputhje do miratohet, nëse s’është…asnjë s’merr përsipër që të shkelë ligjin nga presioni që bën dikush.

Artan Gaçi, deputet i PS-së: Ne do të kërkojmë në seancë plenare që të zhbllokohet ky bllokim i qëllimshëm që nuk ka asnjë argument nga ana e qeverisë shqiptare në të mirë të vendit dhe të Kosovës. Do të kërkojmë që në prioritet të jenë interesat e shqiptarëve dhe jo të serbëve.

Linja e interkonjeksionit konsiderohet si një projekt i rëndësishëm si për Shqipërinë, pasi siguron një burim shtesë për të blerë energji me kosto të ulët, por ashtu edhe për Kosovën duke ulur varësinë e saj energjetike nga Serbia.

Reagon Shkëlzen Berisha

Pas publikimeve në gazetën kosovare “Zëri”, të shkrimit me titull “Sali Berisha, me “mafinë” serbe, kundër Kosovës” ku përmendet edhe emri i Shkëlzen Berishës, se është takuar me Vuk Hamovic dhe Damir Fazllic në Vjenë të Austrisë me qëllim ndihmën për bizneset e tyre dhe pengim të projekteve energjitike që lidhin Kosvën dhe Shqipërine, ka ardhur reagimi i djalit të kryeministrit.

Në një deklaratë të tij thuhet se: “Dëshiroj t’ju bëj me dije ju dhe mbarë opinionit të Kosovës që kjo është një shpifje e ulët pasi unë nuk jam takuar kurrë dhe asnjëherë me z. Vuk Hamovic dhe as me ndonjë ndihmës apo përfaqësues të tij, as në Vienë e as në ndonjë vend tjetër të rruzullit, për asnjë lloj pune, apo biznesi, dhe madje nuk kam as njohje me të. Takimi i supozuar mes meje, z. Hamovic dhe z, Fazllic është fund e krye një trillim i ulët i artikullshkruesit”.

 
 

Top Channel