Qindra persona të maskuar kanë dalë në rrugët dhe sheshet e Shkupit me thirrje rraciste anti-shqiptare, duke i fajësuar për vrasjen e 5 të rinjve maqedonas.

Edhe njëherë tjetër u përsëriten thirrje të tipit “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, apo të tjera si “dhoma gazi për shqiptarët”, britma ultra-nacionaliste këto nga sllavët maqedonas, që më shpesh janë dëgjuar edhe në koret e stadiumeve.

Protestuesit kanë tentuar të futen në lagjen shqiptare të Shkupit, por janë penguar nga policia maqedonase që ka ndërhyrë duke mos i lejuar ata.

Nga dhuna e ultranacionalistëve raportohen 3 shqiptarë të lënduar, që janë shoqëruar për në spital ku po marrin ndihmën mjekësore. Në orët e mbrëmjes situata paraqitet e qetësuar, megjithëse tensionet mbeten.

Analisti shqiptar i Maqedonisë, Kim Mehmeti, në një lidhje telefonike gjatë edicionit të lajmeve në Top Channel, deklaroi se edhe njëherë tjetër u dëgjuan britmat anti-shqiptare të maqedonasve. Ai tha se në protestë nuk u ndje për asnjë cast dhimbja për 5 të vrarët, por urrejtja për shqiptarët.

Maqedoni, gjendet automjeti i krimit

Ministrja maqedonase e Punëve të Brendëshme, Gordana Jankullovska publikoi të hënën një fotografi të veturës për të cilën dyshohet se e kanë përdorur autorët e vrasjes së pesëfishtë që ndodhi të enjten në Shkup.

Bëhet fjalë për një makinë të tipit “Opel Omega”, të gjetur një ditë më parë 10 kilometra larg vendit të ngjarjes. Jankullovska bëri me dije se kjo veturë është importuar nga jashtë dhe për një kohë të gjatë nuk është regjistruar në Maqedoni, ndërsa targat e vendosura në të janë vjedhur nga një makinë tjetër.

“Kjo është vetura për të cilën në bazë të analizave të deritanishme, vërtetuam se ka qenë në vendin e ngjarjes. Pra, ka shumë gjasa që kjo veturë të jetë përdorur në kontekst të kryerjes së kësaj vepre penale. Megjithatë, analizat e gjurmëve kërkojnë kohë. Bëhet fjalë për një makinë e cila duhet të analizohet hollësisht. Ekzistojnë proçese kimike për të cilat kërkohet kohë. Prandaj, vlerësojmë se na duhen edhe disa ditë për të konfirmuar nëse kjo veturë ka apo jo lidhje me vrasësit”, deklaroi Jankullovska.

Kryeshefja e policisë ftoi qytetarët që kanë njohuri se kujt i ka takuar kjo veturë në të kalurën ta informojnë policinë. Jankullovksa hodhi poshtë spekulimet e një televizoni serb, i cili të hënën  njoftoi se afër kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës është gjetur një veturë të cilën e kanë shfrytëzuar autorët e vrasjes.

Analistët shqiptarë në Shkup thonë se media serbe përmes spekulimeve po tenton që me çdo kusht vrasjen e 5 maqedonasve ta ndërlidhë me shqiptarët dhe Kosovën.

Haxhinasto: Vrasjet, hetim i plotë; të mos nxitet konflikti

Shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto deklaroi se Shqipëria po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe në Maqedoni.

“Në këto momente është e nevojshme të ketë një qetësi nga ana e të gjithë faktorëve. Është e rëndësishme t’i japim mundësi hetimit të plotë të kësaj çështjeje dhe të mos lejojmë aspak të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike përsa i takon kësaj ngjarje. Kërkohet një hetim i plotë dhe pas hetimit, fajtorët të vihen para ligjit”, tha Haxhinasto për ngjarjen në Maqedoni.

Ndërsa përsa i përket situatës në veri të Kosovës ai tha: “Veriu i Mitrovicës, gjithashtu është një situatë, të cilën ne po e ndjekim. Rritja e tensioneve nuk i shërben askujt. Sigurisht, jemi gjatë një proçesi zgjedhor në Serbi dhe uroj që këto tensionime të mos jenë në funksion të zhvillimeve zgjedhore atje”.

I pyetur nga Top-Channel se çfarë përpjekjesh janë duke u bërë nga Ministria e Jashtme përsa i përket problemit që kanë qytetarët shqiptarë me origjinë çame, të cilët nuk lejohen të hyjnë në Greqi nga autoritetet greke, zoti Haxhinasto tha se çështja e të drejtave të shqiptarëve është çështja madhore, kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Përsa i takon zgjidhjes së problematikës në fjalë, ne jemi në komunikim intesiv, po bëjmë përpjekjet maksimale që të zgjidhet gjithë problematika që ka të bëjë me komunitetin çam, me të drejtat e tyre legjitime, me të drejtat e tyre të lëvizjes, me të drejtat e tyre të pronësisë, pra të gjithë të drejtat e tyre legjitime”, shtoi Haxhinasto. 

Top Channel