Kina rrit aksionet në borxhin amerikan

17/04/2012 08:15

Kina ka rritur aksionet e saj në borxhin amerikan për të dytin muaj rresht, pas zërave se rezervat e saj valutore të huaja vazhdojnë të rriten.

Pekini bleu 12.7 miliardë dollarë nga fondet amerikane për të rritur aksionet e saj në vlerën 1178.9 miliardë në muajin shkurt, kanë treguar të dhënat e fundit të Departamentit të Thesarit.

Rezervat valutore të huaja të Kinës, që janë dhe më të mëdhatë në botë, u ngritën me 3.9 për qind në tremuajorin e parë të vitit. Kina është blerësi i huaj më i madh i borxhit qeveritar të Shteteve të Bashkuara.

“Nuk ka shumë rrugë, përveç blerjes së bondeve qeveritare, ku dikush mund të investojë miliarda dollarë çdo ditë”, ka deklaruar Charles Chaw, një ekonomist kinez për BBC.

Analistët thonë se vazhdimi i krizës së borxhit në eurozonë dhe shpresa për një rimëkëmbje të ekonomisë amerikane kanë luajtur pjesën e tyre në blerjen e aksioneve nga Kina.

Druhet se kriza e borxhit që ka përfshirë vendet e eurozonës mund të përhapet edhe në ekonomitë më të mëdha të grupimit.

Ditën e hënë, kostoja e huamarrjes për Spanjën u ngrit mbi 6 për qind, duke ngritur shqetësime mbi mundësinë e qeverisë spanjolle për të shlyer borxhet.

“Duke parë situatën në eurozonë, bondet amerikane janë një investim më i sigurt”, deklaroi ekonomisti Charles Chaw.

Top Channel