KFW “rrëzon” qeverinë

18/04/2012 00:00

Banka gjermane KFW ka rrëzuar pretendimet e qeverisë shqiptare dhe
OST-së për ndryshimin e fituesit në tenderin e interkonjeksionit me
Kosovën.

Top Channel zotëron një tjetër procesverbal zyrtar, të një mbledhje që është zhvilluar rreth një muaj më parë,  në datën 13 mars te ketij vitit në Frankfurt, mes drejtorit të OST, Arben Ibroja, homologut të tij kosovar Fadil Ismajli dhe përfaqësuesve të bankës gjermane KFW, për të zgjidhur konfliktin, që ka marrë tashmë përmasat e një skandali.

Në këtë mbledhje OST ka mbrojtur vendimin e saj për të ndryshuar fituesin duke përdorur si argument kryesor faktin se ligji shqiptar i prokurimeve nuk lejon shpalljen fitues të një kompanie që ka dhënë çmim më të lartë në tender.

Argumenti 1 – Por në dokument banka gjermane KFW argumenton se shpallja fituese e kompanisë kroate ‘Dalekovod’, e renditur e para në tender, nuk është në kundërshtim me ligjin shqiptar të prokurimeve, ashtu sic pretendon qeveria shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Transemtimit. Sipas KFW procesi i vlerësimit, i cili shpalli fitues kroatët është plotësisht në linjë me ligjin shqiptar të prokurimeve, më konkretisht nenin 55 të tij, i cili thotë tekstualisht se autoriteti kontraktues i vlerëson dhe krahason ofertat në bazë të kritereve të vendosura përpara zhvillimit të tenderit. Sipas këtij neni, që citon KFW, asnjë kriter tjetër nuk mund të përdoret për vlerësimin e fituesit nëse nuk është parashikuar më parë në dokumentat e tenderit.
 
Argumenti 2 – Gjate mbledhjes të mbajtur në Frankfurt, kreu i OST-së, Ibroja ka paraqitur edhe disa argumenta të tjera për të mbrojtur vendimin e tij për ndryshimin e fituesit. Sipas tij, konsulenti i tenderit ka njoftuar kompaninë kroate se është shpallur fituese pa vënë në dijeni OST-në shqiptare. Por, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë konsulente ‘Intec’ ka treguar në mbledhje prova se një kopje e e-mailit i është dërguar edhe drejtorit të njësisë së zbatimit të projekteve në OST.

Argumenti 3 – Zoti Ibroja ka pretenduar se OST nuk e ka aprovuar raportin final të vlerësimit të tenderit që shpallte fitues kompaninë kroate. Por edhe ky pretendim është rrëzuar, nga KFW, e cila thotë se OST e ka dhënë aprovimin për tre fazat e vlerësimit të tenderit, paskualifikimin, vlerësimin teknik dhe atë financiar. Vlerësimi final – vijon KFW – vetëm sa bashkon në një vlerësimet e ndara të tre fazave.

Argumenti 4
– Në fund zoti Ibroja ka përdorur edhe agrumentin se diferenca e çmimit mes dy ofertave është e lartë ndaj nuk mund të shpallë fituese kompaninë ‘Dalekovod’, që ka ofruar një cmim rreth 8.6 milionë euro më të lartë. Por edhe për këtë pretendim të OST banka gjermane e ka rrëzuar me tre argumente. Së pari KFW thotë se çmimi është në nivele normale për projekte ndërkufitare të tensionit të lartë, siç është ai i linjës së interkonjeksionit. Së dyti,- vijon banka gjermane,-  OST ka rënë më parë dakord me formulën e vlerësimit të tenderit, e cilat i jep më shumë rëndësi kriterit teknik se sa atij financiar dhe rrjedhimisht mund të shpallë fituese një kompani që ndonëse ofron çmim më të larta, ka më shumë garanci teknike.

Në përfundim- KFW shton dhe një argument të tretë, i cili rrëzon përfundimisht edhe leverdisshmërinë ekonomike të vendimit. Tashmë qeveria shqiptare thotë KFV ka vetëm dy zgjidhje të mundshme. Të pranojë fituese kompaninë kroate KFV ose të anullojë tenderin dhe të zhvillojë një tender të ri.

Por, kostot shtesë nga ritenderimi thotë KFW, do të jenë të paktën 15 milonë euro ose dy herë më të larta se sa diferenca e çmimit mes dy kompanive, pa përfshirë këtu kostot që vijnë nëse kroatët do të padisin qeverinë shqiptare.    

Top Channel