Rreth 200 punonjës të medias së shkruar dhe asaj elektronike në Kosovë kanë protestuar të hënën përpara selisë së qeverisë, duke kundërshtuar Kodin e ri Penal të vendit.

Konkretisht gazetarët kanë kundërshtuar nenet 37 dhe 38 të Kodit, të cilët detyrojnë reporterët të tregojnë burimet e tyre në raste të veçanta, si dhe parashikojnë ndjekjen penale të tyre.

Gjatë protestës, gazetarët janë shprehur se këto nene cënojnë lirinë e fjalës, gjë që sipas tyre po i shkakton probleme faktorit politik në vend.

“Kjo tregon se të gjithë ata që e kanë provuar pushtetin, të gjithë ata që kanë qenë në pozita të ndryshme dhe që janë në pushtet, kanë qenë pjesë e trajtimit të mediave në Kosovë, të cilat kanë raportuar për keqpërdorime të ndryshme të tyre. Gjithashtu, kjo vetëm sa tregon se mediat s’e kanë lënë rehat edhe opozitën”, ka deklaruar Arben Ahmeti, kryetar i AGPK-së.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës i ka kërkuar presidenttes Atifete Jahjaga që të mos e firmosë ligjin, duke paralajmëruar në rast të kundërt përshkallëzimin e protestave.

Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës miratoi Kodin Penal, neni 38 i të cilit kërkon zbulimin e burimeve kur gazetari shkruan për vepra penale, si degradimi i integritetit seksual, ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën 16 vjeç, përvetësimi në detyrë, marrja dhe dhënia e ryshfetit.

Që atë ditë AGKP reagoi i irrituar duke vlerësuar se Kodi Penal i Republikës së Kosovës, siç është votuar të premten nga Kuvendi, përdhunon, shkel dhe pamundëson lirinë e shtypit.

Top Channel