Siri, rikthehet bombardimi i qyteteve

23/04/2012 15:35

Forcat ushtarake siriane janë rikthyer të bombardojnë qytetin e Hamës ditën e hënë, pavarësisht armëpushimit që pengon veprime të tilla.

Sipas aktivistëve, numri i viktimave si rrjedhojë e shpërthimeve në qendër të qytetit është prej 18 personash, ndërsa dhjetëra të tjerë duken se janë plagosur në lagjen e Mashaa al-Arbaeen.

Ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën gjatë ditës një seri të re sanksionesh, midis të cilave edhe pengesa e eksportimit të produkteve të luksit dhe atyre mallrave që mund të përdoren për të ushtruar presion mbi disidentët.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, William Hague, theksoi se “Damasku po shkel në mënyrë të turpshme kushtet e armëpushimit të negociuar dhe të rënë më parë dakord me përfaqësuesin e OKB-së, Kofi Annan”.

Ditën e dielë, Annan, ish-kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e konsideroi si thelbësore marrëveshjen për vendosjen e 300 vëzhguesve në territorin e Sirisë.

”Puna e misionit duhet të ndihmojë në krijimin e kushteve për të ndërmarrë një proces politik të domosdoshëm, i cili do të ndihmojë për të adresuar shqetësimet dhe aspiratat e popullit sirian”, apeloi Annan.

”Qeveria duhet të heqë dorë nga përdorimi i armëve të rënda, siç ka rënë dakord dhe të plotësojë kushtet për të rikthyer rendin public në qëndrat e banuara, siç është rënë dakord në planin prej gjashtë pikësh”, shtoi ai.

Sipas të dhënave të besueshme të OKB-së, mbi 9 mijë persona janë vrarë që prej fillimit të protestave në mars 2011. Për aktivistët, viktimat janë 20 mijë, ndërsa për qeverinë, vetëm 3 838, midis të cilëve 1 345 ushtarë.

Top Channel