Irani: Gati të “klonojmë” avionët amerikanë

23/04/2012 00:00

Irani është gati të riprodhojë avionët bombardues amerikanë. Këtë e kanë bërë të ditur përgjegjës ushtarakë të Teheranit që me sa duket kanë dekodifikuar sekretet e avionit Sentitel që është në zotërim të tyre që prej vitit të kaluar.

Ekspertët po punojnë për klonimin e tij. Teherani pretendon se ka kapur avionin bombardues ndërsa Uashingtoni thotë se e ka humbur për shkak të një defekti.

Televizioni shtetëror iranian shfaqi pamjet e e para të  avionit amerikan të telekomanduar, që sipas Teheranit është goditur nga forcat iraniane dhe është rrëzuar në afërsi të kufirit afgan, në fillim të dhjetorit 2011  

Pjesa e filmuar u titullua “RQ170- avioni spiun i avancuar” dhe tregonte pamje të ushtarakëve iraniane, të cilët inspektonin avionin, që në pjesët më të mëdha të tij ishte i padëmtuar.

Avioni, i njohur si Sentinel, apo sic njihet ndryshe “Bisha e Kandaharit” është humbja e parë e këtij lloji për Shtetet e Bashkuara. Burimet amerikane vazhdojnë të pretendojnë se shkaku ka qenë një avari, që nuk është shkaktuar nga faktorët e jashtëm.

Zyrtaret amerikanë e pranuan humbjen dhe Pentagoni shprehu shqetësimin se iranianët do të sigurojnë informacion mbi teknologjinë. Edhe NATO deklaroi në atë kohë se  një avion i telekomanduar me mision mbi pjesën perëndimore të Afganistanit, kishte humbur. Gazeta prestigjoze “New York Times” raportoi se avioni ishte pjesë e një programi survejimi që fotografonte impiantet e dyshimta bërthamore të Iranit.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Iranin dhe gjithcka kryhet përmes ambasadës së Zvicrës në Teheran. Media iraniane raportoi se Ministria e Jashtme kishte thirrur përfaqësuesin diplomatik të Zvicrës, për t’i shprehur protestën për shkeljen e hapësirës ajrore të Iranit, nga avioni spiun amerikan. Por autoritetet iraniane nuk kërkuan vetëm shpjegime, por edhe kompensim nga Uashingtoni.

Top Channel