”12 pikat s’mbarojnë as në shtator”

24/04/2012 19:30

Qeveria Shqiptare duket se ka hequr dorë nga plotësimi i të gjitha prioriteteve të vëna nga Bashkimi Europian, duke mos synuar më çeljen e negociatave për anëtarësim, por për t’u fokusuar në përmbushjen e kriterit politik, me shpresë përfitimin e një rekomandimi vetëm për statusin kandidat këtë vjeshtë.

Në raportimin me dyer të mbyllura për grupin e punës mbi Ballkanin në Parlamentin Europian, por dhe me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, Ministrja shqiptare e Integrimit, që nga vizita e saj e fundit e një muaji më parë, veçoi si arritje vijimin e reformës zgjedhore si dhe mbajtjen së shpejti të një seminari për antikorrupsionin dhe imunitetet.

“12 pikat nuk mbarojnë as në shtator. Nuk është çështje që mbaron dhe mbyllet me marrjen e statusit kandidat, çështja e zbatimit të të drejtave të njeriut, as lufta kundër korrupsionit, as lufta kundër krimit të organizuar. Por, reforma zgjedhore, përshembull e cila ka një kohë të përcaktuar dhe që ka një vullnet të dëshmuar deri më sot është një çështje e cila konsiderohet në fakt si çështja kryesore brenda kriterit politik, duke mos lënë mënjanë edhe çështje të tjera të rëndësishme. Në fund të javës, të premten në Tiranë ka një seminar me Këshillin e Europës për çështjen e antikorrupsionit”, deklaroi Bregu.

Mënyra e votimit në Kuvend për anëtarin më të ri të KLD-së, përveçse një veprim antikushtetues sipas opozitës, përkon edhe me disa kritere njëherësh që duhen plotësuar nga vendi, siç janë dialogu politik, funksionimi i duhur i Parlamentit dhe depolitizimi për emërimet në gjyqësor.

E pyetur nga TCH sa e ka dëmtuar kjo ngjarje dialogun dhe nëse e kishte raportuar edhe këtë si zhvillim të këtij muaji, Ministrja e Integrimit u përgjigj: “Forcat politike në Parlament janë për t’u marrë vesh në gjërat madhore dhe sigurisht për të ndarë dhe kontradikta me njëra-tjetrën, gjithmonë pa bllokuar interesat madhore të vendit dhe pa i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Unë votoj për ç‘do pjesë që është pjesë e 12 rekomandimeve, për çdo çështje e cila është pjesë për mirëfunksionimin e rregullores së Parlamentit në të cilën, votimi i fshehtë elektronik apo votimi me kuti i bërë një traditë parlamentare për 20 vjet, në zbatim të rregullores së Parlamentit, është një element i pakundërshtueshëm nga asnjë palë.”

Sipas Ministres Bregu, roli i Shqipërisë në rajon, puna disa-vjeçare e administratës së vendit si dhe plotësimi i reformave politike, kanë rikthyer besueshmërinë e institucioneve europiane ndaj Shqipërisë. “Ky duhet të jetë viti i Shqipërisë. Unë kam parasysh që ky është viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që është ngjarja më madhore për shqiptarët kudo që janë, pavarësisht besimit politik që mund të kenë ata, pavarësisht se për cilin votojnë, ky është një vit i cili duhet t’i bëjë të gjithë shqiptarët të buzëqeshin. Në qoftë se statusi i vendit kandidat nuk i është dhënë Shqipërisë për dy vjet radhazi sepse ne të parët kemi dëmtuar veten me një luftë të paqënë dhe absurditete politike, besoj që kjo atmosferë e cila ka ndryshuar këtë vit duhet të jetë një atmosferë e cila të sjell gëzim tek të gjithë. Tek ne të parët, dhe besueshmëri të kthyer tek strukturat europiane. Besueshmëri të kthyer ndaj nesh, që të kenë më shumë besim tek Shqipëria”, theksoi Bregu.

Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel