“Autografet” e Ramës dhe Berishës

26/04/2012 19:40

Parlamenti i ka dhënë kohë komisionit të reformës zgjedhore të përfundoje plotësisht punën e nisur për reformimin e kodit elektoral.

Koha e dhënë është deri në 15 maj, që besohet se do të jetë kohë e mjaftueshme për të miratuar kapitujt e fundit për mënyrën e numërimit elektronik të votave, për riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe çështjen e ankimimeve.

Por, pas këtij vendimi, pikëpyetja e madhe është nëse komisioni për reformen zgjedhore do të nisë marrjen në shqyrtim të tre kërkesave të partive të vogla për ndryshimin e sistemit elektoral, mënyren e ndarjes së mandateve për deputete dhe uljen në 2 përqind të pragut elektoral për hyrjen në Parlament.

6 muaj pas nisjes së punës së komisionit për reformen zgjedhore ajo që kanë arritur partitë e vogla është marrja e dy firmave më të rendësishme politike.

Se pari, Edi Rama dhe pastaj Sali Berisha, me firmat e tyre përkatese u angazhuan të dëgjojnë kërkesat e përbashkëta të aleatëve.

Por, a janë këto dy firma angazhim që Sali Berisha dhe Edi Rama të zgjidhin me ligj kërkesat e aleatëve përkatës?

Kërkesa që në thelb eliminojne dominimin aktual të Sali Berishës dhe Edi Ramës në përcaktimin e koalicioneve dhe u japin kryetarëve të partive të vogla komoditetin e vendosjes së kushteve për përfaqësimin e koalicioneve në zgjedhje.

Vendimi i Parlamentit për shtyrjen e mandatit të komisionit të reformes zgjedhore vërtet u jep kohë partive të vogla, por ai nuk shkon plotësisht në favor të tyre.

Sepse, megjithesë afati u shty, Parlamenti nuk mori asnjë kërkesë për ndryshimin e objektit të punës së ketij komisioni.

Kur u ngrit 6 muaj më pare, Parlamenti i përcaktoi si detyrë komisionit të kthejë në ligj rekomandimet e ODIHR-it, duke lënë jashtë objektit të punës ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe çdo çështje që lidhet me të.  

Çka do të thotë se shqyrtimi i kërkesave të partive të vogla vazhdon të mbetet jashtë rendit të ditës për komisionin e reformës zgjedhore.

Kjo do të thotë gjithashtu, se Edi Rama dhe Sali Berisha, kanë vendosur që tani për tani, firmat e tyre të kenë vetëm vlerën e autografëve për kryetaret e partive te vogla.

Top Channel