Berisha: Reformat, Kodi, presidenti…

27/04/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha është shprehur i gatshëm për konsultime me opozitën për një sërë çështjesh, si për atë për zgjedhjen e presidentit, ashtu edhe për atë të sistemit të drejtësisë, imunitetit të zyrtarëve, etj.

Qëndrimin e tij Berisha e ka shprehur në një intervistë për “VOA”, ku ka komentuar fillimisht takimin e tij me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila ka bërë një kërkesë të qartë.

“Informova sekretaren e Shtetit për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Sekretarja Clinton kërkoi hapur heqjen e imunitetit”, ka deklaruar Berisha.

Më tej kreu i qeverisë u është përgjigjur një seri pyetjesh që kanë të bëjnë me çështjet politike aktualisht më “pikante” në Shqipëri.

Sistemi i drejtësisë: “Qeveria e SHBA e ndihmon Shqipërinë, por kjo është një përgjegjësi në radhë të parë për qeverinë shqiptare dhe forcat politike, që të intensifikojnë përpjekjet për përmirësimin e shtetit ligjor, për luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të bëjmë hapa përpara. Kur flitet për reformën në drejtësi bëhet fjalë për interesin e qytetarëve shqiptarë dhe jo për interesat e politikanëve”.


Korrupsioni
: “Sot, në kuadrin e nismës së presidentit Obama, ne jemi ndër të paktat qeveri që po japim konçesione online. Nuk them se s’ka korrupsion, por ka edhe një vullnet të hekurt për ta luftuar. Në Shqipëri janë ndëshkuar më shumë se në çdo vend tjetër zyrtarë për korrupsion, janë me qindra. Nuk ka pasur zyrtarë të lartë, por për këtë duhet hequr imuniteti”.


Sistemi zgjedhor
: “Ky sistem zgjedhor i jep fund një mori problemesh gjeografike të papërshtatshme. Partitë politike s’kanë kërkuar ndryshimin e sistemit, me përllogaritjet merren matematicienët”.


Zgjedhja e presidentit
: “Zgjedhja e presidentit është një proçes që duhet të kalohet përmes konsultimeve dhe ne jemi të gatshëm të konsultohemi me opozitën. Ky problem vjen muajin tjetër dhe dëshiroj që të mbizotërojë vullneti nga të gjitha palët. Nano? Në tërësi kur kam formuar qeverinë jam shprehur i hapur për konsultime dhe mbetem i vendosur për zbatimin e Kushtetutës. Ne në vitin 2008 ndryshuam me zotin Rama Kushtetutën për të shmangur një krizë politike gjatë zgjedhjeve të presidentit”.


Interkonjeksioni me Kosovën
: “Dallimi mes projektit për Parlamentin dhe atij për linjën e interkonjeksionit është shumë i madh. Për objektin nuk ka pasur një juri për çmimin. Po të marrësh të 12 projektet e paraqitura për Parlamentin, ato variojnë nga 48 në 100 milionë euro. Juria ka pasur profesorë nga Harvardi dhe e gjithë bota dhe zgjodhi projektin e zotit Priks.

Pra, juria kur përcakton projektin më të mirë nuk merr parasysh cmimin. Sa për interkonjeksionin, banka gjermane KFË është një bankë e mrekullueshme që ka financuar me dhjetra projekte për Shqipërinë. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me të. Në rastin e çështjes në fjalë, u bë tenderi për Tiranë-Prishtinë dhe ai për Unazën e Jugut.

Në të parin, një kompani që i plotëson kushtet teknike ka dhënë një ofertë prej 8.6 milionë euro për segmentin shqiptar, ndërsa nëse përfshihet edhe segmenti i Kosovës, del 20 milionë euro më lirë. Ndërsa për Unazën e Jugut ka bërë një ofertë 20 milionë euro më të shtrenjtë”.

Top Channel