Disidenti i verbër në ambasadën USA

28/04/2012 08:15

Disidenti kinez Chen Guangcheng ndodhet në ambasadën amerikane në Pekin, pas arratisë dramatike nga arresti i shtëpisë.

Lajmin e ka bërë të ditur aktivistja Hu Jia për BBC. Aktivistja tha se zoti Chen, i cili është i verbër, kishte kapërcyer një mur të lartë dhe ishte shoqëruar për qindra kilometra për në Pekin.

Ai u arratis ditën e diel dhe që atëherë ka publikuar një video drejtuar kryeministrit Wen Jiabao. Raportohet se tani vëllai dhe nipi i tij janë ndaluar nga policia.

Një grup për të drejtat e njeriut në Kinë citoi një burim që dinte se zoti Chen dhe nipi i tij Chen Kegui ishin marrë nga banesa e tyre nga më shumë se 30 agjentë policie.

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay deklaroi se ishte e shqetësuar për gjendjen e zotit Chen dhe familjes së tij, që jeton në qytetin Dongshigu, të provincës Shandong.

“U shqetësova shumë kur dëgjova se anëtarë të tjerë të familjes, përfshirë vëllain e tij Chen Guangfu dhe nipin e tij Chen Kegui, janë arrestuar”, tha Pillay në një deklaratë për shtyp.

Deri tani Departamenti amerikan i Shtetit ka refuzuar të komentojë deklaratat se zoti Chen ndodhet në ambasadën amerikane në Pekin, e cila ka refuzuar gjithashtu të prononcohet.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe grupi kinez China Aid, me bazë në Teksas, që ka deklaruar se ka mësuar nga një burim që po ndjek nga afër situatën e Chen Guangcheng, se disidenti ndodhet nën mbrojtjen e SHBA në Pekin.

Top Channel