Me duartrokitje është pritur kreu i LSI-së, Ilir Meta, prej të paktën 700 emigrantëve shqiptarë që ishin mbledhur në një prej ambienteve të një hoteli të qytetit të Selanikut, në kuadrin e krijimit të degës së kësaj partie.

Të pranishëm kanë qenë edhe autoritete lokale, midis tyre edhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Janis Butaris, i cili në fjalën e tij të përshëndetjes ka theksuar edhe njëherë lidhjet e tij të veçanta me Shqipërinë.

“U mallëngjeva shumë kur shkova në Voskopojë sepse prejardhja e familjes sime nga ana e nënës është nga ky qytet”, theksoi Butaris.

Pas fjalës së kryetarit të degës së LSI-së për Selanikun, Guri Peja, Ilir Meta ka përshëndetur të gjithë të pranishmit duke vënë në dukje rolin e padiskutueshëm në ndihmën që i kanë dhënë atdheut të tyre në këto 20 vjet emigrimi, ndërsa u ka vënë theksin edhe pasojave që ka sjellë kriza në radhët e tyre, por edhe në Shqipëri.

“Kontributi që ju keni dhënë gjatë këtyre dy dekadave për zhvillimin e Shqipërisë, por edhe për mirëqenien e familjeve tuaja ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm”, u shpreh kreu i LSI-së.

Meta ka theksuar se Shqipëria është një prej vendeve të rajonit që ka përfituar më shumë nga era e re në Ballkan pas rënies së Murit të Berlinit, duke i mëshuar faktit të lëvizjeve së shqiptarëve pa viza.

Në 16 muaj, tha Meta, mbi 1 milion shqiptarë kanë udhëtuar drejt BE-së. Vërtet është e padrejtë vonesa në këto tre vitet e fundit për integrimin e Shqipërisë në BE për arsye të mosmarrëveshjeve të politikës shqiptare, por ka disa muaj që është gjetur gjuha e duhur politike midis partive në shumë aspekte.

“Ka një reflektim, ka një përmirësim, ka një dialog, disa ligje të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të kualifikuar janë votuar në Parlament, disa të tjera priten së shpejti, pritet njëkohësisht të përfundojë Reforma Zgjedhore që është shumë e rëndësishme, po kështu do të jetë edhe zgjedhja e presidentit të ri”, deklaroi Meta.

I pyetur nga Top Channel për zgjedhjen e presidentit dhe negociatat midis partive, Meta është shprehur: “Të krijojmë mundësinë që përmes zgjedhjes së presidentit të ketë një pikë tjetër bisedimi midis aktorëve kryesorë politikë për të bashkëpunuar dhe për të vijuar disa reforma tepër të rëndësishme ashtu siç janë ato në fushën e drejtësisë, të cilat kërkojnë në shumicën e rasteve edhe ligje apo ndërhyrje në ligje me një shumicë të kualifikuar.”

Përsa i përket bashkëpunimit të LSI-së me PD-në, Ilir Meta ka pohuar se do të vazhdojë edhe për zgjedhjet e 2013: “LSI ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike. Ne i jemi përmbajtur dhe do i përmbahemi me shumë seriozitet implementimit të marrëveshjes 4-vjeçare të nënshkruar me PD-në pas zgjedhjeve të vitit 2009.”

Pas mbledhjes, kreu i LSI-së, i shoqëruar në këtë takim edhe nga kryetari i degës së Korçës, Piro Kapurani, si dhe deputeti Vangjel Tavo, ka shpërndarë teserat e para të kësaj partie në qytetin e Selanikut dhe në Greqinë e Veriut.

Në fund Meta është takuar me emigrantë dhe ka dëgjuar prej tyre problemet me të cilat përballen në realitetin e hidhur të krizës greke.

Top Channel