Bojkot Ukrainës

30/04/2012 23:55

Një sërë liderësh europianë i anulluan vizitat në Ukrainë mes shqetësimeve në rritje që po shkakton keqtrajtimi i lideres së opozitës Julia Timoshenko.

Si Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, ashtu dhe Komisionerja e Drejtësisë Viviane Reding e deklaruan hapur se do ta bojkotojnë kampionatin europian të futbollit Euro 2012 në Ukraine.

Angela Merkel ka lënë të kuptohet se do të bëjë të njëjtën gjë. Sipas zëdhënësit të saj, cdo vendim i Kancelares gjermane në lidhje me këtë vizitë, do të varet nga fati i Timoshenkos.

Pesë liderë europianë do të shmangin edhe një samit të muajit të ardhshëm në Yaltë. Vetë Ministria e Jashtëme ukrainase njoftoi se presidentët e Austrisë, Republikës Ceke, Gjermanisë, Italisë dhe Sllovenisë nuk do të marrin pjesë në takimin e krerëve të Europës qëndrore dhe lindore në datat 11 dhe 12 maj.

“Po e deklarojmë përpara, në mënyrë që askush të mos befasohet”, tha zëdhënësi Oleg Voloshin.

Nuk ka arsye për të menduar se pas këtij gjesti qëndron ndonjë lloj proteste diplomatike. Timoshenko thuhet të ketë hyrë në grevë urie dhe gjendja e saj shëndetësore është e rëndë.

Të premten, foto të saj në burg u shfaqën në media, ku liderja opozitare tregon shenjat në trup, dëshmi, sic thotë e keqtrajtimit të gardianëve. 51 vjecarja e dënuar me 7 vjet burg, për abuzime gjatë ndërmjetësimit të një marrëveshjeje gazi me Rusinë në 2009-ën, mbahet në Kharkiv, në lindje të Ukraines.

Zyrtarët e lartë të vendit e përshkruan bojkotin e liderëve europianë si rikthim të taktikave të Luftës së Ftohtë. Por në rrugët e Kievit, reagimet janë të përzjera.

“Më duket mëse e natyrshme, autoritetet tona po i hapin varrin vetes. Nuk është cështja vetëm tek Timoshenko, por tek të gjitha gjërat që nuk shkojnë në këtë vend. Unë them se Ukraina nuk është aspak gati për kampionatin”, thotë Veronika, një qytetare.

“Vendet e Bashkimit Europian të zgjidhin problemet e tyre një herë, se edhe ata vetë në shumë raste drejtohen nga standarte morale të dyfishta. Më parë të vënë rregull në shtëpitë e tyre, pastaj të merren me Ukrainën”, thotë një tjetër me emrin Denis.

Timoshenko ishte në mesin e drejtuesve të revolucionit të portokalltë të 2004-ës që e beri të dështonte përpjekjen e parë për presidencë të kreut aktual të shtetit Viktor Janukovic, dhe ka qenë dy herë kryeministre e vendit.

Bashkimi Europian e ka paralajmëruar Kievin se për sa kohë Timoshenko do të qëndroje në burg, anëtarët e tij nuk do t’i ratifikojnë marrëveshjet politike dhe ato të tregtisë së lirë me Ukrainën.

Top Channel