Sistemi elektoral dhe manipulimi i zgjedhjeve

02/05/2012 00:00

Adri Nurellari – Debatin mbi reformën zgjedhore sot përqendrohet ose tek aspektet e
administrimit me sa më shumë integritet të procesit elektoral ose te
pandershmëria e sistemit aktual dhe pretendimet e partive të vogla
lidhur me të.

Komisioni i ngritur së fundmi dhe negociatat mes specialistëve të PD-së dhe PS-së, në fakt janë duke u përqendruar tek aspektet e administrimit të zgjedhjeve në terren dhe te ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor duke pasur parasysh rekomandimet specifike të dhëna prej OSBE-ODIHR pas zgjedhjeve të kaluara lokale. Këtu bëhet fjalë për aspekte teknike si mënyra e numërimit të votave, procedurat e ndjekura në qendrat e votimit, masat e sigurisë etj., që nuk lidhen me ndryshime thelbësore të sistemit zgjedhor dhe që synimin kryesor kanë që ta bëjnë procesin në vetvete shumë transparent dhe sa më të ndershëm e të besueshëm.

Konkretisht, çështja e sistemit zgjedhor është parë më shumë në aspektin e dëmtimit të madh që u bëhet partive të vogla, si dhe pragun e lartë që vendoset për parti të reja që dëshirojnë të futen në lojë si alternativë ndaj partive ekzistuese. Konkretisht, partitë e treta dhe partitë e reja që nuk duan të jenë në tutelën e dy partive kryesore duke u bërë pjesë e koalicioneve të tyre penalizohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse e kanë të vështirë që të akumulojnë aq shumë vota në një qark të caktuar sa të mund të nxjerrin një deputet aty, ndërkohë që votat e akumuluara në nivel republike nëse i gjithë shteti do të ishte një zonë e vetme zgjedhore me siguri do të arrinin një përqindje të pëlqyeshme për t’u kapitalizuar në mandate parlamentare. Konkretisht, pragu de facto  në përqindje votash që do të duhej të siguronte një parti e vogël jashtë koalicioneve kryesore për të mundësuar deputetin e parë që vërtitet prej rreth 5% në Qarkun e Tiranës te 18% apo edhe 20% në qarqe me më pak deputetë si Gjirokastra dhe Kukësi. Kjo është një recete e mirëfilltë për oligarki që çimenton bindshëm duopolizmin e dy partive kryesore, PD dhe PS dhe këtu edhe lind shqetësimi legjitim jo vetëm i partive të vogla ekzistuese, por edhe i të gjithë aktorëve të shoqërisë civile, të cilët me forcë e kanë kundërshtuar ndryshimin e sistemit zgjedhor në vitin 2008. Nuk ka dyshime për faktin që kemi të bëjmë me një shtrembërim të paramenduar të vullnetit publik të matshëm me të ashtuquajturin indeksin e Gallagherit, i cili e nxjerr qartazi sistemin proporcional rajonal si një ndër më deformuesit.

Kundër sistemit zgjedhor aktual ka argumente të tjera të shumta që lidhen me dëme të tjera si dëmtimi i demokracisë së brendshme të partive, theksimin e tiparit krahinorist të Shqipërisë, nxitjen e klientelizmit dhe patronazhit lokal në kurriz të politikave kombëtare e shtetërore që i takon të bëjë Parlamenti etj. Megjithatë, një ndër argumentet që i shpëton debatit dhe që lidhet drejtpërdrejt edhe me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it është fakti që sistemi zgjedhor është vendimtar jo vetëm lidhur me shqetësimet e mësipërme, por edhe me vetë cilësinë e procesit zgjedhor dhe me eliminimin e manipulimeve elektorale.

Një grup hulumtuesish të Universitetit të Essex kanë ndërmarrë prej vitit 2007 një projekt shkencor kërkimi që merret konkretisht me praktikat e këqija dhe manipulimin elektoral në demokraci të reja apo në gjysmë demokraci. Në këtë studim janë mbledhur të dhëna krahasuese nga të gjitha këto lloj shtetesh dhe një ndër përfundimet më specifike të nxjerra është se në morinë e faktorëve që kanë një ndikim në cilësinë e procesit zgjedhor, vetë sistemi ka një rol kyç. Që do të thotë se përveç procedurave të parashikuara, përgatitjes apo kualifikimit të stafeve që përfshihen në administratë, nivelit, zbatueshmërisë së ligjit në një vend, kulturës politike apo faktorëve të tjerë që luajnë rol në cilësinë e procesit zgjedhor, sistemi zgjedhor në vetvete ka një peshë të veçantë. Ajo që del e vërtetuar statistikisht është se sistemi proporcional kombëtar është sistemi që ka më pak gjasa të jetë i manipulueshëm sesa sistemet e tjera zgjedhore. Pra që vendimmarrësit e ndonjë komisioni potencial që do të interesohej të adoptonte një sistem të ri zgjedhor për një vend dhe do të kishin shqetësimin thelbësor cilësinë e procesit, do të kishin një arsye shumë të fortë që të vendosnin për proporcional kombëtar. Kjo pasi sistemi dhe për rrjedhojë procedurat janë shumë më të thjeshta duke lënë shumë më pak hapësirë për shkelje apo abuzime. Por ç’është më e rëndësishmja incentivi për të manipuluar në terren do të ishte shumë i vogël, pasi është më e vështirë në proporcional kombëtar që me vjedhje të përmbyset rezultati. Nëse në sistemin zgjedhor aktual apo edhe në atë pararendës që patëm deri në 2008 me shumë pak vota të vjedhura apo nxjerra të pavlefshme aty-këtu në zona të caktuara zgjedhore do të mund të sigurohej një impakt thelbësor në numrin e mandateve që dilnin, në një proporcional kombëtar do të duhej të monitoroheshin dhe ndryshoheshin shumë më tepër vota duke e bërë shumë më të vështirë operacionin e manipulimit.

Këtu lidhet një element tjetër shkak-pasojë mes manipulimit apo cilësisë së zgjedhjeve dhe sistemit elektoral. Propozuesja e sistemit që kemi, Partia Socialiste, në bashkëpunim me Partinë Demokratike e kanë pasur shumë të qartë në vitin 2008 se në kushtet aktuale shqiptare me sistemin proporcional rajonal rezultati do të dilte pashmangërisht ngushtë. Pra mazhoranca do të vendosej nga një apo dy deputetë sikurse edhe ngjau. Jo më kot bashkë me reformën zgjedhore u adaptuan në Kushtetutë edhe dy ndryshime thelbësore shoqëruese që ishin ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe ndryshimin e mocionit të mosbesimit. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve një shumicë e brishtë prej 50% plus 1 do të mund ta zgjidhte vetë Presidentin ndërsa me ndryshimet lidhur me mocionin bëhej shumë e vështirë vënia në pikëpyetje e legjitimitetit të partisë. Me pak fjalë e kanë blinduar pra kështu pushtetin e ekzekutivit, sepse e dinin fare mirë që me sistemin e përqafuar distanca do ishte shumë e vogël dhe këtu qëndron edhe një problem kyç i këtij sistemi. Rezultati del aq ngushtë sa i humburi gjithnjë do të ketë pretendime e iluzione se ka qenë fitimtari dhe do e ketë të vështirë të pranojë dështimin. Ashtu sikurse në fusha të tjera të jetës në Shqipëri edhe për një kohë të gjatë ne do të jemi shumë larg përsosmërisë së procesit e për këtë arsye gjithnjë do të ketë mesele apo pretendime qoftë edhe modeste për rezultat të përmbysur. Po ashtu, të dyja palët e dinë që shumë pak vota vendosin rezultatin final dhe do përpiqen gjithnjë të vjedhin kudo e kurdoherë që të mundin gjatë votimit apo numërimit të votave. Me një sistem tjetër elektoral edhe nëse dy partitë kryesore janë afër me numër votash prapëseprapë mënyra e numërimit dhe përcaktimit të mandateve do e bëjë shumë të thellë distancën mes dy krahëve politikë dhe do e bëjë shumë të qartë se kush është humbësi dhe kush është fituesi duke minimizuar hapësirën për të pretenduar manipulime që mund të kenë përmbysur situatën.

Gazeta “Shqip”

Top Channel