Sfidat e gjyqësorit dhe integrimi

02/05/2012 00:00

Më katër maj, pak ditë larg Ditës Kombëtare të Drejtësisë, akademikët e jurisprudencës shqiptare dhe jo vetëm do të mblidhen në një konferencë gjyqësore në të cilën pritet të analizohen problematikat më të mprehta në fushën e drejtësisë.

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Ervin Metalla deklaron për Top Channel se në përfundim të konferencës do të ketë rekomandime për secilin nga aktorët e drejtësisë.

“Synimi i kësaj konference nuk është teorik, por praktik, ne duam të dalim me propozime konkrete, të paanshme, për të arritur më pas në proçesin ligjvënies. Ky është një proçes politik, por duke qenë se bëhet fjalë për personalitete të jurisprudencës, besoj se do të mirëpritemi”, thotë Metalla.

I pyetur për një nga problemet që haset rëndom në gjyqësor, siç janë zvarritjet e proçesve, kreu i Unionit të Gjyqtarëve pohon se po rishikohet mundësia për propozime në legjislacion, duke marrë modelin e vendeve perëndimore.

“Ne duhet të dalim me një propozim për ligj siç ka ndodhur në vende të tjera, që kanë propozuar në mënyrë konkrete dhe të arsyeshme ide. E vërteta është se problemi i gjyqësorit duhet të shihet në aspektin e problematikës që ka. Për shembull infrastruktura, si sallat, pagat e gjyqtarëve, stafi administrativ, etj. Nga ana tjetër, problemet që kanë të bëjnë me ligjin dhe mënyrën si sillet politika ndaj gjyqësorit. Gjyqësori duhet parë si zgjidhës i problemeve”, thekson Metalla.

Në konferencën “Reforma gjyqësore, një ndër 12 prioritetet e sfidës së integrimit të Shqipërisë në BE” do të marrin pjesë edhe nënkryetari i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Josef Casadeval, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, Cherie Blair, si dhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në vend, të Gjykatës së Lartë dhe të gjykatave të shkallëve më të ulëta.

Top Channel