Djali i Bossi-t, diplomë shqiptare

03/05/2012 00:00

Renzo Bossi, i biri i Umberto Bossit, e ka marrë diplomën e studimeve universitare në Shqiperi, kështu rezulton nga hetimet e Prokurorisë së Napolit dhe Milanos mbi partinë “Lega Nord”.

Dokumenti është gjendur në dosjen me emrin “familja”, në kasafortën e ish-personit përgjegjës për financiat e “Leges”, drejtuesit të zyrës së thesarit Francesço Belsito.

Sipas gazetes “La Reppublica”, diploma është lëshuar në 8 tetor të 2010-tës nga Universiteti “Kristal” i Tiranës, ku Renzo Bossi është diplomuar për menaxhim biznesi, dega ekonomik.

Përpos këtij dokumenti, pranë diplomës së nivelit të parë të Bossi Junior, figuronte edhe një tjetër diplomë këtë herë në emër të Pierangelo Moscagiuro, partner i senatores së Legës, Rosy Mauro, për shkenca politike, edhe kjo e lëshuar në Tirane, po në 2010-tën në datën 29 qershor.

Hetuesit dyshojnë se të dyja diplomat janë marrë duke përdorur fondet e “Lega Nord”. Bossi, siç thote gazeta, rezulton i regjistruar me numër amze 482 dhe nga 29 lënde, rezultatet më të mira i ka në kontabilitet financiar, matematike dhe statistike.

Umberto Bossi, lideri historik i Ligës së Veriut, njeriu që dukej i përjetshëm në krye të partise trumpetuese të transformimit të Italise në shtet federal dhe një autonomie më të madhe rajonale sidomos për veriun, u detyrua në muajin prill të japë dorëheqjen.

Nga tre linja hetimi, në Prokuroritë e Milanos, Reggio Calabrias dhe Napolit, u zbuluan lëvizje të dyshimta fondesh të partisë, përdorim i tyre për shpenzime personale të “Umberto Bossit” dhe lidhje të mundshme me “Ndranghete”-n, mafien e fuqishme kalabreze.

Reagon Universiteti “Kristal”

Për diplomën shqiptare të djalit të Bossit reagoi edhe Universiteti “Kristal”.

Në një njoftim për mediat universiteti deklaron se “shtetasi italian Renzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2007-2008, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu universiteti konfirmon edhe regjistrimin e shtetasit tjeter italian Pierangelo Moscagiuro.

“Në Universitetin “Kristal” aktualisht janë të regjistruar përveç shtetasve italianë edhe shtetas të tjerë të huaj. Universiteti jonë është i hapur për çdo informacion në lidhje me këtë çështje,” thuhet në deklaratën e “Kristal”, në të cilën nuk shpjegohet nëse djali i Bosit e ka frekuentuar apo jo shkollën në këtë universitet.

Por, nga hetimet u vërtetuan edhe dalje parash për shpenzimet personale të familjes se liderit, për rregullimin e vilës, makina luksoze apo studimet e femijëve.

Top Channel