UEFA konfirmon Ukrainën

04/05/2012 11:15

Drejtori i UEFA-s për Europianin, Martin Kallen, siguroi se nuk do të ketë asnjë hap pas për zhvillimin e turneut të Ukrainës dhe Polonisë, pavarësisht bojkotit politik të shpallur nga shumë vende të BE-së dhe Shqipëria, ndaj Kievit zyrtar.

”Nuk do të ketë asnjë kthim pas. UEFA nuk ka asnjë plan rezervë dhe zëvendësimi i Ukrainës nuk është konsideruar kurrë”, deklaroi Kallen, i cili shtoi se që nga data 11 maj, UEFA do të dërgojë ekspertët e saj në dy vendet organizatore për inspektimin e stadiumeve dhe infrastrukturës pritëse të Europianit.

Pavarësisht trazirave sociale dhe sulmeve me bomba molotov në qytetin e Dniepropetrovkut, Kallen theksoi edhe një herë se “Ukraina është një vend plotësisht i sigurt. Kemi një situatë të ngjashme si ajo e Austrisë dhe Zvicrës”.

Më parë gjatë javës, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi se do të bojkotojë aktivitetet në Ukrainë dhe se nuk do të ndjekë atje skuadrën e saj, gjatë Europianit.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso gjithashtu ka shpallur bojkot ndaj Ukrainës, për shkak të keqtrajtimeve që po pëson në burg liderja e burgosur e opozitës, Yulia Tymoshenko.

Top Channel