Francë, sprovat e vështira të Hollande

08/05/2012 00:00

Pas betejës së ashpër për presidencën franceze, Francois Hollande dhe Nikolas Sarkozy kanë marrë pjesë së bashku në ceremoninë e V-Day, që kremton fundin e Luftës së Dytë Botërore në Europë.

Edhe pse prania e tij nuk ishte e detyruar, Sarkozi i mundur në balotazhin e së dielës zgjodhi të mos mungonte në këtë event. Të dy liderët vendosën kurora me lule në varrin e ushtarit të panjohur poshtë Harkut të Triumfit, ndërsa me propozim të Sarkozisë, përgjatë gjithë kësaj kohe, qëndruan në krah të njëri-tjetrit.

Hollande vazhdon ndërkohë konsultimet për krijimin e qeverisë, por edhe pse është shfaqur si një njeri mjaft i qetë e i kujdesshëm, ai nuk mund ta marrë dhe aq qetësisht detyrën e re. Sprova të forta e presin shefin e ri të Elizesë, sidomos përsa i takon politikës së jashtme. Të gjithë presin të shohin cila do të jetë linja diplomatike që ai do të adoptoje. Një ditë më parë, socialisti i parë në krye të shtetit francez që nga koha e Francois Miterrand, i konsideruar një sfidues i zgjidhjes gjermane të krizës së borxhit, deklaroi se fitorja e tij më në fund do t’i krijojë Europës idenë se masat shtrënguese anti-krizë nuk janë opsioni i vetëm.

“Për Hollande, rritja nënkupton shtim të investimeve qeveritare, por për Angela Merkelin ajo do të thotë të kesh treg të ndryshueshëm pune sepse njerëzit do të trajnoheshin për vende të reja pune. Parashikoj probleme të mëdha mes këtyre të dyve”, shprehet Philippe Morea Defarges, analist politik.

Në fjalimin e fitores përpara mijëra mbështetësve, Hollande premtoi barazi, drejtësi dhe një të ardhme më të mirë për të rinjtë francezë. Ai zotohet të ngrejë taksat për të pasurit, të investojë më shumë në arsim dhe i mëshon inkurajimit të rritjes ekonomike.

Por shumë njerëz nuk janë të sigurtë nëse 57-vjeçari socialist është i përgatitur për punën që e pret. Hollande ka qenë i angazhuar në politikë për shumë vite, por është një udhëheqës i paprovuar në kohë të vështira ekonomike dhe situata nuk është aspak ajo më e mira me borxhin kombëtar të Francës dhe papunësinë që rritet me shpejtësi.

Top Channel