Pranga besimtarit me dy bomba-celularë

10/05/2012 00:00

 Dyshimet për terrorizëm kanë çuar në pranga një besimtar mysliman, i
cili është kapur me dy bomba-celularë, detonatorët e të cilave i mbante
me vete.

Arrestimi i tij ka ardhur pas dy muajsh mbikëqyrje nga shërbimi sekret, ndërkohë që eksplozivin e kishte fshehur në kasat e derës së shtëpisë. Denis Shmilli është kapur në afërsi të vendit të quajtur “9-katëshet” në Tiranë, ndërsa hetimet për të janë mbajtur sekrete nga policia. Grupi hetimor dyshon se ai është i përfshirë në disa akte terroriste në Tiranë, por edhe në qytete të tjera. Por, gjatë marrjes në pyetje, ai është treguar i heshtur dhe nuk ka pranuar të bashkëpunojë me grupin e punës.

Arrestimi

Burimet policore të kryeqytetit, sqaron “Shqip”,  bënë të ditur se para pak ditësh ka ardhur një informacion nga Shërbimi Informativ Shtetëror për një person të dyshuar për akte terroriste. Në bazë të këtij operacioni është mbajtur nën vëzhgim Denis Shmilli, rreth 35 vjeç, i cili lëvizte në këmbë. Rreth orës 01:30 të mëngjesit të së mërkurës, në zonën e njohur si 9-katëshet, punonjësit civilë të policisë kanë ndërhyrë për të kontrolluar Denis Shmillin. Agjentë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, gjatë kontrollit personal, i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy detonatorë me fije, si dhe një telefon celular të lidhur me to, me anë të të cilit aktivizohej shpërthimi. Menjëherë është bërë ndalimi i tij, ndërkohë që sendet e sekuestruara janë lënë mënjanë, kur janë thirrur ekspertët antieksplozivë. Ata kanë mundur të çaktivizojnë sistemin e ndërtuar nga i shoqëruari në polici dhe brenda një kohe të shkurtër është realizuar identifikimi i plotë i tij dhe gjetja e vendbanimit. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ai kishte marrë një shtëpi në afërsi të Zogut të Zi. Nga kontrolli në banesë, fillimisht nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme, ndërsa gjatë këqyrjes nga ekspertët, është vënë re se kasat e derës së jashtme ishin me probleme. Kur ata i kanë hapur, brenda kanë gjetur dy eksplozivë me celularë.

Dyshimet

Sasia e tritolit, e lidhur në mënyrë të sofistikuar dhe të gatshme për shpërthim, është sekuestruar nga grupi hetimor, ndërkohë që Shmilli, i cili mendohet me origjinë nga Poliçani, është marrë në pyetje për orë të tëra. Ai nuk ka pranuar të tregojë asgjë, të paktën deri në mes të natës, ndërkohë që i janë marrë gjurmët e gishtave dhe në banesën e tij janë sekuestruar disa prova të dyshimta. Sipas grupit hetimor, nga verifikimi i mëtejshëm ka rezultuar se Shmilli njihej si një person i cili ndjek rregullisht ritet e fesë myslimane, që sipas policisë, quhet praktikant mysliman. Kapja e tij është kryer para ngjarjes së mëngjesit të së mërkurës, kur një shtetas palestinez mbeti i vrarë nga persona ende të paidentifikuar, pas një shpërthimi me eksploziv mekanik. Grupi hetimor ka dyshime të forta se ai është i përfshirë në disa ngjarje kriminale me eksploziv, si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj, por kjo pritet të konfirmohet pas analizimit të të gjitha provave të mbledhura për të. Policia ka shoqëruar të afërm të tij dhe vazhdon hetimi për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.

SHISH

Shërbimi Informativ Shtetëror bëri të ditur konfidencialisht se kishin mbi dy muaj që mblidhnin informacion mbi personin e ndaluar, i cili ka krijuar shumë lidhje të forta edhe me disa persona me precedentë penalë, ndërkohë që është ndër të paktat raste, kur një besimtar mysliman, kapet me prova në duar. Madje, sipas informacioneve nga SHISH, ai kishte planifikuar të hidhte shtëpinë e tij në erë, për të mos iu gjetur provat, që vazhdojnë të grumbullohen nga policia. Disa kohë më parë, për veprime që lidhen me terrorizmin u arrestua një tjetër mysliman, por më vonë u lirua, pasi akuzat e tij nuk u vërtetuan nga prokuroria. Por, sherret fetare dhe akuzat e ndërsjella kanë qenë edhe të mëparshme në Komunitetin Mysliman, ndërkohë që SHISH i ka mbajtur nën vëzhgim, sidomos të rinjtë që arsimoheshin në vendet e Lindjes.

Top Channel