Ultrasit e Barit, rrihnin lojtarët për të lënë ndeshjen

10/05/2012 16:35

Rritet numri i personave të ndaluar nga policia italiane për trukimin e ndeshjeve të Serisë A dhe serive të tjera më inferiore të futbollit.

Në qendër të ciklonit të hetimeve është skuadra e Barit dhe në dritë kanë dalë fakte të reja që përfshijnë edhe tifozerinë ultras të kuqebardhëve puljezë. Hetuesit e Puljas prangosën disa prej krerëve të tifozerisë ultrase të skuadrës së Barit nën akuzën e shantazhit dhe kërcënimit ndaj lojtarëve të skuadrës së tyre, në mënyrë që këta të fundit të fiksonin disa takime.

Bëhet fjalë për 3 takime të Serisë A në sezonin 2010-2011, kur disa lojtarëve të Barit u është kërkuar nga tifozët ultras të humbnin ndeshjen për të përfituar shuma të mëdha nga bastet. Sipas dëshmive të mbledhura nga hetuesit italianë, lojtarët bliheshin dhe aty ku nuk funksiononte kjo, kërcënoheshin e goditeshin nga udhëheqësit e tifozerisë ultras.

Në një rast të tillë tifozët kanë rrahur futbollistët e tyre duke u kërkuar me cdo kusht lënien e ndeshjes. Bëhet fjalë për takimin e 23 marsit 2011 mes Barit dhe Kievos, ku puljezët humbën me rezultatin 1-2.

Hetuesit ranë në gjurmët e skemës pas dëshmive të mbledhura nga futbollistë dhe ish-futbollistë të Barit. Kyçe mes tyre ishte dëshmia e portierit Gillet (aktualisht portier i Bolonjës).

Top Channel