Shqipëria ka përfunduar projektin e modernizimit të hapësirës ajrore shqiptare. Në aeroportin e Rinasit, gjatë një ceremonie të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Trafikut Ajror, kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi se rritja e madhe e fluksit të pasagjerëve është dëshmi e një dinamizmi të fuqishëm të zhvillimit të ekonomisë së këtij vendi.

“Numri i pasagjerëve është rritur ndoshta si në asnjë aeroport tjetër të kontinentit, në një hark kohor të shkurtër, me 132 për qind. Nuk ka asnjë tregues tjetër më të sigurt e më saktë për rritjen e besimit ndaj Shqipërisë, se sa ky tregues. Rritja e besimit në të gjitha planet, aeroporti e siguria e tij, janë dera e hyrjes, janë pasaporta e vendit, por rritja e madhe fluksit të pasagjerëve është dëshmi e një dinamizmi të fuqishëm të zhvillimit të ekonomisë së këtij vendi. Imagjinoni që të gjitha këto ndryshime të mëdha kanë ndodhur në kohën e një krize të paprecedentë gjatë 70 viteve të fundit, apo edhe më gjatë, të kontinentit tonë. Domethënia është shumë herë më e madhe në këtë kontekst”, tha kryeministri Berisha.

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi u shpreh se me përurimin e këtij projekti përfundojnë angazhimet shqiptare për të patur një hapësirë ajroje të përbashkët europiane.

Ndërsa drejtori kësaj agjensie Petrit Sulaj tha se ka optimizëm për efikasitetin e fluturimeve në mënyrë që të arrihen objektivat e vëna nga Komisioni Europian.  

“Përfundimi me vënien në eficencë të këtij programi bëri të mundur rritjen e sigurisë në fluturim dhe respektimin e detyrimeve që vendi ynë ka ndaj rekomandimeve të komunitetit europian për një qiell të përbashkët. Sot ANTA radhitet përkrah agjencive të tjera rajonale me standardet e kërkuara, teknologjinë moderne, e gatshme për të përballuar sfida të reja në kuadrin rajonal ashtu edhe nismave të mbrojtjes funksionale të hapësirës së përbashkët ndërshtetërore”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i ANTA-s, Petrit Sula.

Investimi për këtë projekt është 76.5 milionë USD, i financuar  60%  me kredi nga qeveria e Shqipërisë dhe 40 përqind nga fondet e vetë ANTA-s. Ai përfshin përmirësimin e infrastrukturës së Menaxhimit të Trafikut Ajror dhe sistemeve të Komunikimit, Navigimit dhe Survejimit, si instalimin e një prej sistemeve më moderne për uljen dhe ngritjen e avionëve, si edhe ato të Komunikimit Zanor dhe Radiove.

Top Channel