Italia sjell dosjen e Kajollit, kërkon ekstradimin e republikanit

18/05/2012 00:00

Drejtësia italiane këmbëngul për ekstradimin e Fatmir Kajollit, i cili
është dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nga Gjykata e
Romës dhe Milanos.

Në kryeqytetin italian, Kajolli është dënuar me 24 vjet burg, ndërsa në Milano me 16 vjet burg. Përpos këtyre vendimeve, gjykatat e Fierit dhe Vlorës (apeli) kanë vendosur arrest shtëpie. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për gazetën “Shqip” se drejtësia italiane ka sjellë me anën e një letërporosie të gjithë aktivitetin kriminal të Kajollit, nga fillimi i trafikut të drogës, hetimi në prokurori dhe vendimet e dy gjykatave.

Në dosje janë të përfshira edhe përgjimet ndaj këtij grupi, i cili e ka filluar aktivitetin kriminal para vitit 2000. “Ministria e Drejtësisë ka protokolluar dosjen italiane ndaj shtetasit Fatmir Kajolli, i arrestuar në qytetin e Fierit disa javë më parë, me kërkesë të drejtësisë italiane. Dosja është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe bashkërisht, përkthyesit e ministrisë dhe akuzë po punojnë për përshtatjen e saj në gjuhën shqipe”, thanë burimet nga ministria, bën të ditur “Shqip”.

Sipas tyre, është prokuroria ajo që ka të gjithë tagrin t’i paraqesë në gjykatë këto akte dhe më pas të vendoset për ekstradimin ose jo të Kajollit në shtetin italian. Ndërkohë, lajmi konfirmohet edhe nga burime të akuzës qendrore që saktësojnë se pas përkthimit dosja do të kalojë në Prokurorinë e Fierit.

Top Channel