Heynckes: Të bëjmë historinë

18/05/2012 17:55

Jupp Heynckes kërkon të bëjë historinë me Bayern Munchen. Tekniku gjerman u shpreh në konferencën për shtyp para finales së Ligës së Kampioneve ndaj Chelsea që do të luhet të shtunën se “të luash një finale Champions në fushën tënde është diçka e jashtëzakonshme”.

“Nuk ka ndodhur që nga viti 1965 që një ekip të fitojë këtë trofe si vendas. Fitorja në Allianz Arena do të na fuste në histori. Kemi mundësi shumë të mira. Kemi besim, por nuk ka vend për eufori, duhet të qëndrojmë të qetë”, theksoi trajneri i bavarezëve.

“Kemi përballë një skuadër që ka mundur në gjysmëfinale Barcelonën, skuadrën më të mirë në botë dhe do të jetë një ndeshje e barabartë. Mund të kemi një avantazh shumë të vogël për faktin që luajmë në fushën tonë, por nuk mendoj se jemi favoritë”, shtoi Heynckes.

Prezenca e Arjen Robben nuk është aspak në dyshim: “Robben ka një ftohje të lehtë dhe nuk u stërvit sepse duam të jemi të kujdesshëm, por do të jetë patjetër në fushë.”

Top Channel