Skandali i paralajmëruar me kompiuterat e MASH

19/05/2012 19:30

Skandali që zbuloi Kontrolli i Lartë i Shtetit me informatizimin e shkollave publike ishte lajmëruar që në fund të muajit janar të vitit 2009.

Autoritetet doganore italiane në Taranto kishin bllokuar një anije me flamur panamez që transportonte për në Shqipëri pajisje kompjuterike me destinacion shkollat publike.

Pajisjet me vlerë 3.8 milione dollarë, sipas autoriteteve italiane ishin të falsifikuar. Anija me flamur panamez kishte për destinacion sipas autoriteteve italiane, portin e Vlorës, ndërsa kompjuterët dyshohen se ishin pjesë e kontingjentit prej 7 mijë copë që do të shpërndaheshin nga qeveria në shkollat publike në të gjithë vendin.

I gjithë projekti i Ministrisë së Arsimit ishte fituar nga një kompani serbe e cila merrte përsipër të sillte në Shqipëri kompjuterat për vendosjen e tyre në të gjitha shkollat.

Por për doganën italiane nga do kalonte anija, të gjitha pajisjet ishin të falsifikuara. Në një njoftim zyrtar, autoritetet italiane sqaronin se sasia e kompjuterëve dhe aksesorëve shoqërues ishin prodhime pirate kineze.

Kompania serbe që kishte fituar tenderin në Shqipëri, as e pohoi dhe as e mohoi këtë fakt, ndërsa Ministri i Arsimit, Fatos Beja, tha në atë kohë se projekti do të vazhdonte normalisht dhe se nuk ka lidhje me këtë operacion.

Sipas Bejës, një pjesë e kontingjentit të kompjuterëve që janë pjesë e këtij projekti kanë mbërritur në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër është në ardhje.

Top Channel